Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Ushqyerja me biberon: Ja çfarë duhet të dinë nënat

$
0
0

Dr.SuadaMbajtja e biberonit për një kohë të gjatë, mund të shkaktojë në disa raste deformime të nofullave ose bën që fëmija të fitojë vese, siç është mbajtja e gishtit në gojë, që i jep të njëjtën kënaqësi si biberoni, por kjo ndikon negativisht në nofullat e tij, duke krijuar defekte skeletike, që manifestohen jo vetëm në nofulla, por edhe në tërë sistemin dhëmb-nofull-fytyrë 

Gjithnjë e më shumë, gratë që vendosin të bëhen nëna, kujdesen jo vetëm të kenë një shtatzëni të mbarë, por që edhe fëmija e tyre të jetë i shëndetshëm. Nuk i lënë asgjë rastësisë, madje që në momentet e planifikimit të shtatzënisë kryejnë vizita mjekësore, marrin suplemente shtesë. Edhe sa i takon shëndetit të dhëmbëve të fëmijës, stomatologët shpjegojnë se nënat marrin suplemente shtesë, që pas tremestrin e parë të shtatzënisë së tyre. Mirëpo, me ardhjen në jetë të fëmijës, nënat mund të përballen me mungesën e qumështit të gjirit, çka i drejton ato drejt biberonit (qumështit artificial). Po ky i fundit, në shumë raste mund të krijojë probleme, të cilat sipas stomatologëve shkaktojnë anomali, jo vetëm në sistemin dhëmbor, por edhe në strukturën dhëmb-nofull-fytyrë. Përveç problemeve që vijnë nga përdorimi i biberonit, mjekia stomatologe Suada Poçi Demushi, në një intervistë për gazetën MAPO shpjegon se mospasja e informacionit të duhur dhe neglizhenca e prindërve mbi kohëzgjatjen e përdorimit të biberonit, mund të çojë deri në humbje të dhëmbëve të rëndësishëm, të cilët në rast prishjeje, rikuperimi i tyre është i pamundur. Stomatologia Poçi sqaron më tej lidhur me të vërtetat dhe mitet që duhen thyer për periudhën e daljes dhe ndërrimit të dhëmbëve, rëndësinë e dhëmbëve të qumështit. Si dhe cilat janë ushqimet e rekomanduara dhe koha kur duhen filluar vizitat e para te dentistët.

Kur duhet të nisë përkujdesja e nënave ndaj dhëmbëve të fëmijëve?

Në ditët e sotme, kujdesi i gruas apo nënave të reja ndaj dhëmbëve të fëmijës, nis që në shtatzëni. Është e domosdoshme që gruaja të bëjë një kontroll periodik të dhëmbëve të saj dhe marrjes së elementeve të rëndësishme, siç janë flouri, kalciumi, në formimin e dhëmbëve të fëmijës, që do të lindë. Këto mikroelemente duhet të merren pas trimestrit të parë të shtatzënisë.

Çfarë duhet të kenë parasysh kur flasim për shëndetin e dhëmbëve, ushqyerje, kontroll, larje?

Shëndeti i dhëmbëve të fëmijës është shumë kompleks, pasi lidhet me shumë faktorë, duke nisur nga faktori gjenetik, ushqimet dhe sigurisht kujdesi i prindërve. Me daljen e dhëmbëve të parë te fëmijët, mbarëvajtja e tyre është e lidhur ngushtësisht me kujdesin e prindërve, informacionin, higjienën dhe ushqyerjen. Kontrolli nga mjeku pediatër, mjeku i parë që ka kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijët 0-3 vjeç dhe pas kësaj moshe do të ishte shumë e vlefshme kontrolli nga mjeku stomatolog. Pasi, si rregull, dalja e dhëmbëve të qumështit ka përfunduar në këtë moshë. Ndaj dhe çdo nofull duhet të ketë nga 10 dhëmbë, goja komplet 20 dhëmbë. Mbarëvajtja e këtyre dhëmbëve është shumë e rëndësishme, pasi i paraprin ose është pararendëse e sistemit dhëmbor permanent.

Pse nuk duhet neglizhuar koha e daljes së dhëmbëve të qumështit dhe koha e rënies së tyre?

Është shumë e rëndësishme që prindi të jetë i informuar mbi kohën e zëvendësimit apo ndërrimit të dhëmbëve të qumështit. Një neglizhencë ose padituri do të kishte pasoja për sistemin dhëmbor permanent, apo krijon anomali komplekse në sistemin dhëmb-nofull-fytyrë. Çdo dhëmb ka kohën e vet të zëvendësimit. Një ndërhyrje para kohe do të ishte mjaft e dëmshme për dhëmbin respektiv, që do të zëvendësonte atë dhëmb ose tërë atë zonë të nofullës.

Atëherë doktoresha, a është e domosdoshme të mjekohen dhëmbët e qumështit?

Po patjetër, sepse përveç funksionit përtypës, ata duhet të shkojnë deri në afatet e ndërrimit të dhëmbit, pasi këtu është edhe çelësi i kujdesit për një sistem dhëmbor permanent (përhershëm) të saktë. Një kujdes i veçantë që nuk duhet neglizhuar, është edhe dalja e dhëmballës së parë të përhershme apo 6-s që del në moshën 6-vjeç dhe nuk duhet të ngatërrohet me dhëmbët e qumështit. Kjo dhëmballë jo vetëm që del në këtë moshë, por është shumë e rëndësishme për gjithë jetën. Sepse ndodh që fëmijëve kjo dhëmballë iu prishet dhe e neglizhojnë si dhëmb qumështi, ndërkohë ajo nuk del më. Dhëmballa numër gjashtë është shumë e rëndësishme, pasi ka rolin kyç të përtypjes, po kështu ngre kafshimin te fëmijët. Ndaj do të ishte fatale që prindërit ta ngatërrojnë këtë dhëmballë me një dhëmb qumështi dhe ta lënë të prishet, sepse sapo ajo del, duke qenë se tuberkulat janë shumë të zhvilluara dhe fëmija nuk është shumë i përgjegjshëm për higjienën, ushqimet ngecin aty, çka zhvillon kariesin.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në ecurinë e dhëmbëve?

Ushqyerja me gji është “mbreti” dhe në shëndetin e dhëmbëve, edhe në mbrojtjen e tyre. Për shkaqe të ndryshme, disa nëna ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht artificial. Në këto raste, fëmija mëson biberonin, shpeshherë atij i shkakton probleme, siç është i njohur vesi i gishtit në gojë. Në rast se ky ves vazhdon, ka pasoja te fëmija, deri në deformimin e nofullave, ose ato ngelen të hapura lartë. Të gjitha këto i shkaktojnë anomali jo vetëm në sistemin dhëmbor, por edhe në sistemin dhëmb-nofull-fytyrë. Këto janë anomali tejet komplekse, pasi përveçse shkaktojnë probleme me kafshimin, japin edhe deformime fëmijëve, të tilla si pasoja e futjes së nofullës së poshtme dhe dalje të dhëmbëve të parë shumë përpara. Deri në moshën 3-4 vjeç, këto vese duhen eliminuar. Është i njohur gjerësisht edhe kariesi i biberonit, që vjen nga ushqimet e sheqerosura që i jepen me biberon, si dhe infeksionet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Një këshillë për të gjitha nënat, që të sterilizojnë mirë biberonët. Teksa nënat duhet të jenë shumë të kujdesshme, pasi që në moshë fare të vogël, duhet pastrimi i vendit ku do të dalin dhëmbët e qumështit, me garzat sterile për të mënjanuar rrezikun e kariesit te dhëmbët e rinj.

A sjellin probleme shëndetësore dhëmbët e prishur?

Shpeshherë zhvillimet psikofizike të fëmijëve manifestohen edhe me ndryshimet në daljen e dhëmbëve në strukturën e tyre, në numrin e tyre. Ndodh që fëmija të ketë mungesë dhëmbësh ose dhëmbë të tepërt, të cilët njihen edhe si supranumeratum (janë ata dhëmbë që dalin mbi normën). Ndaj themi që dhëmbët janë të lidhur shumë ngushtë me organizmin dhe zhvillimin e fëmijës, gjenetikën, mënyrën e të ushqyerit dhe kujdesin. Duke ardhur te pyetja, infeksionet e përsëritura dëmtojnë kockën e nofullës te fëmijët, folikulën e dhëmbëve të përhershëm, japin infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, dëmtojnë zemrën dhe veshkat. Në rast të infeksioneve të përsëritura, këto janë problemet më të shpeshta.

Po vizitat me stomatologët kur duhet të nisin?

Nuk duhet neglizhuar një kontroll qoftë edhe rutinë, apo për informacione për gjendjen e gojës së fëmijës, qoftë në moshën pediatrike, edhe atë shkollore fillore. Duhet ditur që pas moshës 6 vjeç në gojë kemi një sistem dhëmbor të përzier, me dhëmbë qumështi dhe dhëmbë të përhershëm. Pas moshës 6 vjeç fillojnë e ndërrohen. Duhen eliminuar ushqimet e sheqerosura, çokollatat, ëmbëlsirat, ushqimet e buta, të cilat mund të mbesin lehtë në tuberkulat në dhëmbët e të vegjëlve.

Si duhet ta injektojnë prindërit kujdesin e dhëmbëve te fëmijët?

Fillimisht do të jetë prindi, i cili bashkë me fëmijën të shkojnë drejt lavamanit, për t’i treguar atij se si lahen dhëmbët. Kjo praktikë duhet nisur kur fëmija të ketë mbushur 3 vjeç, sepse atëherë fillon e kupton. Duhet të marrin furçë që ka muzikë, ose janë me personazhet vizatimorë, të gjitha këto mjete e bëjnë larjen e dhëmbëve argëtuese që fëmija t’i shkojë larjes deri në fund. Sa i takon pastës së dhëmbëve, janë të ndara për fëmijët 0-3 vjeç, 3-6 vjeç, 6-12 vjeç. Është mjeku stomatolog që përveç pastës së dhëmbëve, mund të caktojë edhe një “kurë” për marrjen e elementeve shtesë sikurse është folur, apo elemente të tjera. Të gjitha të rekomanduara nga mjeku stomatolog.

 

Këshillat:

Higjiena, higjiena, higjiena është shumë e rëndësishme. Ushqimet sa më të shëndetshme dhe vitaminoze. Kontrolli te stomatologu për këshilla se si duhet të veprojë edhe prindi për ndërrimin e dhëmbëve. Këshillohen gjithashtu mbushje profilaktike, janë shumë të mira, pasi ruan dhëmbin të paprekur dhe e “shpëton” nga kariesi. Kjo masë shërben pasi e mbron dhëmbët e fëmijës deri në momentin që ai bëhet i ndërgjegjshëm për kujdesin ndaj dhëmbëve.

Koha e daljes së dhëmbëve të qumështit

Incizivë poshtë e lartë 6-8 muaj

(Prerësit qendror e lateral)

I, II

Molarët e parë 12-14 muaj

IV

Dhëmbët e qenit (kanini) 16-18 muaj

III

Molarët e dytë 24-30 muaj

V

Koha e daljes së dhëmbëve të përhershëm (ndërrimi i dhëmbëve të qumështit)

Molari i parë (6-ta) në moshën 6-vjeç del pa heqjen e molarit të qumështit

Incizivët ose prerësit qendror dhe lateral, lart e poshtë

  • (2) mosha 6-8 vjeç

Premolarë ose paradhëmballët

(4) (5) mosha 8-10 vjeç

Dhëmbi i qenit ( kanini)

(3) mosha 10-12 vjeç

Molarët e dytë

(7) mosha 13-16 vjeç

Molarët e tretë

(8) mosha 17-71 vjeç

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles