Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shëndetin

$
0
0

studim 1Qëndrimi ulur mbi 3 orë, rrit rrezikun e sëmundjeve 

Qëndrimi mbi 3 orë ulur gjatë ditës, rrit rrezikun e sëmundjeve. Rrjedhimisht rrit rrezikun për shtimin e kileve dhe zhvillimin e problemeve me qarkullimin e gjakut. Pasojat më negative që prekin këta persona, lidhen veçanërisht me ata që ushtrojnë profesione, si: gazetaria, sekretari dhe disenjatorët. Madje studiuesit shkojnë akoma më tej, duke deklaruar se qëndrimi për një kohë të gjatë ulur, rrit rrezikun e sëmundjeve deri në vdekje të parakohshme. Studimi është bërë publike në “American Journal of Preventive Medicine” dhe përfshiu në të mijëra njerëz. Arsyeja kryesore, nënvizojnë studiuesit, është se qëndrimi ulur për një kohë të gjatë ngadalëson metabolizmin dhe zhvillon sëmundje sikurse janë mbipesha, obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabet i tipit 2. Ndonëse mund të jetë thënë dhe rithënë mbi efektet e jetës sedentare në shëndet, fakt është se aktiviteti fizik, përveçse ndihmon shëndetin, ndihmon në luftën kundër shumë sëmundjeve.

Po kështu, studimi tregon se lëvizja e shpeshtë gjatë orës së punës i bën mirë edhe trurit, pasi e lehtëson atë nga ngarkesa dhe në shumë raste, stresi i akumuluar jep mbipeshë, hipertension e diabet. 

Zika, OBSH: Ekziston rreziku konkret në Europë 

Mundësia për të pasur shpërthime të virusit Zika në Europë, ekziston në mënyrë të moderuar. Të dhënat janë bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi rrezikun e përhapjes së virusit në Botë dhe Europë. Rreziku është përcaktuar bazuar në praninë e vektorëve, nisur nga shpërthimet e sëmundjeve infektive të shkaktuara nga mushkonja të tjera, po kështu edhe nga densiteti i popullsisë. Sa i takon Europës, OBSH ka përfshirë 53 vende, ku tri zona janë përcaktuar me risk të lartë për shkak të pranisë së mushkonjës Aedes, vektori kryesor për përhapjen e virusit, veçanërisht në ishujt portugezë, përgjatë brigjeve të Detit të Zi, Gjeorgji dhe Rusisë. Tetëmbëdhjetë vendet e Mesdheut kanë një rrezik të moderuar për shkak të pranisë së mushkonjës tigër, ndër to është Franca dhe Italia. Vendet e tjera europiane janë më pak të rrezikuara ose pothuajse fare, për shkak të mungesës së vektorëve që përhapin.

Hani shumë patate, rrezikoheni nga tensioni i lartë

Konsumimi i shumtë i patateve rrit rrezikun për tension të lartë të gjakut. Një studim zbulon lidhjen mes konsumit të lartë të patateve dhe rrezikut për hipertension. Studimi është zhvilluar në Birmingem dhe është publikuar në revistën mjekësore britanike. Në studim janë përfshirë me mijëra persona, të cilët në fillim të studimit kishin tension gjaku normal. Epidemiologët kanë evidentuar se gjatë mbajtjes së një ditari, këtyre personave iu është kërkuar që të mbajnë shënim edhe konsumin e patates gjatë një periudhe të caktuar. Nga kjo rezultoi se kush konsumonte 4 porcione patatesh në javë (pavarësisht mënyrës si gatuhej), rrezikojnë 11-17 për qind të zhvillojnë hipertension, në krahasim me personat që limitoheshin të konsumojnë patate në mënyrë të moderuar. Por, shpjegojnë studiuesit, në rast se patatet shoqërohen me sallatë apo perime të tjera, ulet rreziku për sëmundjet kardiovaskulare dhe tensionin e lartë të gjakut. 

Llambat me dritë jeshile, kundër migrenës

Llambat me dritë jeshile, për të larguar migrenën. Një studim i publikuar në revistën mjekësore në Boston, ka evidentuar se në rast se ekspozon një pacient përballë një drite të fortë jeshile, redukton ndjeshmërinë e tij ndaj dritës dhe në të njëjtën kohë redukton deri në 20 për qind të krizave. Studiuesit kanë eksperimentuar efektet e dritave të ndryshme, (të kuqe, blu dhe jeshile) te një pacient me migrenë. Përballë një krize migrene, duket se llambat me dritë jeshile ridimensionojnë fotofobinë dhe intensitetin e dhembjes së kokës. Kjo vjen për shkak se drita jeshile aktivizon shumë pak retinën e syve. Ndaj dhe gjithnjë e më shumë po kërkohet që të shkohet drejt prodhimit të llambave me dritë jeshile, me kosto të ulët. Po kështu, prodhimin e syzeve të diellit me kosto të ulët, të cilat shërbejnë si mburojë ndaj të gjitha llojeve të ngjyrave të tjera, përveç jeshiles.

Me sport kundër 13 tumoreve, reduktohet rreziku me 20%

Sporti është aleati ynë numër një, kundër 13 lloje tumoresh. Në mënyrë të veçantë, vrapimi, ecja, noti, nëse bëhen vazhdimisht, ulin rrezikun e sëmundjeve kancerogjene me 20 për qind, veçanërisht tumorit në mëlçi, mushkëri dhe deri në 40 për qind për tumoret e ezofagut. Rëndësia e sportit është konfirmuar në një sërë studimesh, mirëpo, nënvizohet veçanërisht nëse ushtrohemi në mënyrë të rregullt, pasi në këtë mënyrë ndihmojmë organizmin për luftimin e një sërë sëmundjesh. Studimi i fundit i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë ka përfshirë mbi 1 milion persona nga 19-98 vjeç. Personat janë ndjekur për 11 vite rresht. Secilit prej tyre iu është kërkuar të mbajnë shënim sportet që ushtrojnë dhe shpeshtësinë e tyre, veçanërisht nëse bëjnë vrap, ecje dhe not. Personat që kryenin sport në natyrë, ushtroheshin për rreth 150 minuta në javë, praktikisht 50 minuta seanca, tre herë në javë. E njëjta normë e rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. 187 mijë persona të përfshirë në studim u sëmurën me tumor. Mirëpo personat të cilët kishin raportuar se kishin kryer aktivitet fizik ishin më pak të rrezikuar për zhvillimin e tumoreve, në krahasim me personat që ishin ushtruar më pak. Duke shkuar më në detaje të studimit, konfirmohet se personat që kryejnë aktivitet sportive janë më pak të rrezikuar për të zhvilluar tumore në gji me rreth 10%, zorrë e trashë 16%. Rreziku për zhvillimin e tumoreve reduktohet akoma më shumë për tumorin e ezofagut me 42%, kancerit në mëlçi 27%, stomak me 22%, mushkëri 23% dhe leucemi kronike me 20%. Më pak efektiv rezulton për disa lloje të tjera tumoresh, edhe pse në përqindje të ulët, praktikisht zorrës së trashë me vetëm 15%, vezoreve me 13%. Teksa për prostatën, aktiviteti fizik ndihmon në reduktimin në vetëm 5%. Mirëpo tumori i mushkërive reduktohej përmes aktivitetit fizik, vetëm nëse personat ishin ish-duhanpirës. 

Burrat e ve janë të ndjeshëm, gratë bëhen më të forta

Mesa duket, shëndeti i meshkujve të moshuar është i mbrojtur nga martesa. Rezulton se meshkujt e martuar dhe që kanë një martesë të shëndetshme, janë më të mbrojtur nga një sërë rreziqesh që çojnë në sëmundje, paaftësi e deri në vdekje. Ndërsa kur humbasin partneren, meshkujt bëhen më të ndjeshëm dhe më të dobët. E kundërta duket se ndodh te femrat e veja, të cilat me humbjen e partnerit bëhen më të forta. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Universiteti i Padovës, publikuar në Revistën Mjekësore të Shëndetit. Kërkuesit kanë përfshirë në studim mbi dy mijë të moshuar, në të njëjtën kohë kanë matur “dobësinë” e shëndetit të tyre përballë mungesës së partnerëve, duke vlerësuar rrezikun përballë sëmundjeve, invalidizimin përmes disa parametrave fizikë. Studiuesit kanë vlerësuar se martesa mbron burrat, por jo gratë, nga dobësia trupore, sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme. Ka mundësi, shprehen studiuesit, se një rezultat i tillë vjen për shkak se jeta martesore te gratë e moshuara është më stresuese sesa te meshkujt, kjo për shkak të ngarkesave të secilit prej tyre.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522