Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Mos i humbisni: Disa studime interesante mbi shëndetin

$
0
0

tatuazhTatuazhet, 10% është rreziku për infeksione e alergji

10 për qind e atyre që bëjnë tatuazhe rrezikojnë të kalojnë një infeksion apo alergji brenda katër muajve nga koha e bërjes së tij. Kjo konfirmohet nga “Langone University”, në New York, studiuesit e këtij universiteti apelojnë se në rast se kanë shfaqje të skuqjes dhe irritimit të lëkurës brenda katër muajve në zonën ku kanë kryer tatuazhet, atëherë rekomandohet heqja e tij. Pasi në këto raste po kaloni një alergji apo infeksion. Studimi u zhvillua mbi 300 persona, të cilët kishin një tatuazh dhe pyeteshin nëse kishin pasur probleme me tatuazhet. Nga anketimi rezultoi se 10% e tyre kishin pasur probleme serioze me tatuazhet dhe te një pjesë e madhe e tyre problemet kishin zgjatur më shumë se katër muaj. “Shpesh problemi është një infeksion bakterial, por në disa raste, ajo që gjetëm ishte padyshim një intolerancë ndaj bojës, një alergji”, shpjegojnë autorët e studimit. Njerëz që pohojnë se kanë bërë një tatuazh me bojë të kuqe dhe që nuk kanë pasur probleme, pas disa vitesh ata kanë bërë një tjetër dhe papritmas ata kanë filluar të shkaktojnë kruajtje dhe ënjtje. Ndaj dhe në këtë rast ata kanë bërë apel për më shumë kujdes, veçanërisht në rast të mbivendosjes së tatuazheve apo ritheksimi të tonazhit të ngjyrës te tatuazhet e vjetra. Sipas një studimi gjerman të publikuar në revistën prestigjioze “Lancet” 5 për qind e tatuazheve gjenerojnë në infeksion, ndërsa hulumtimi më i fundit ka vënë gishtin në tatuazhet jo të përhershëm për prani të një lënde kimike të pranishme në bojë e cila shkakton alergji.

Iktusi, 3 në 4 raste vijnë si shkak i stilit të gabuar të jetesës

Vetëm përmes një zgjedhjeje të zgjuar, mjekët kanë vërtetuar se në nivel global mund të parandalohen 3 në 4 raste iktusi ose hemorragjie cerebrale. Lënia e duhanit, konsumimi i frutave dhe perimeve, sporti, cilësohen si “vese” të shëndetshme dhe kontribuojnë në parandalimin e iktuseve. Një studim i zhvilluar nga studiues të Universitetit “Auckland” të Zelandës së Re dhe të publikuar në revistën “Lancet” evidenton gjithashtu se ndotja e ajrit, për herë të parë edhe papastërtia në shtëpi, janë ndër shkaqet primare të faktorëve me risk për zhvillimin e hemorragjive cerebrale. Një dëmtim në tru, në shumicën e rasteve për shkak të bllokimit të një ene gjaku, (në rastin e iktusit ishemik), prek 15 milionë njerëz anembanë botës; prej të cilëve 6 milionë vdesin dhe 5 milionë mbesin me pasoja, deri në paralizë, paaftësi për të folur etj. Për këtë arsye, studiuesit kanë hartuar 10 faktorët më ndikues për të zhvilluar iktus, në vend të parë listohet tensioni i lartë i gjakut, ushqyerje e varfër me fruta, mbipeshë dhe obezitet, dietë e pasur me kripë, duhanpirja, dietë e varfër me perime, ndotje e ambientit dhe shtëpi e papastër, dietë e varfër me drithëra dhe glicemi e lartë. Në nivel global, faktorët më rriskues janë jeta sedentarë, problemet me veshkat dhe konsumimi i alkoolit.

Tumori në gjak, shpresë për gjetjen e kurës

Cilësohen si qeliza “kamikaze” pasi janë të programuara për të luftuar kancerin dhe në të njëjtën kohë, pasi të kenë përfunduar “misionin” e tyre, shkojnë drejt “vetëvrasjes”. Me shumë mundësi kjo mund të jetë “arma” që studiues dhe kërkues në fushën e shëndetësisë kanë në dorë për të luftuar sëmundjet malinje të gjakut. Qelizat në fjalë janë limfocitet e sistemit imunitar, mund të konsiderohen si teknika e re përmes së cilës “ injektohen” për të zhvilluar misionin e tyre. Për të evidentuar fuqinë e këtyre qelizave të dhënat janë bërë publike gjatë Kongresit të mbajtur në Kopenhagën. Edhe pse janë ende në fazën e hulumtimit dhe evidentimit të trajtimeve më të mira kundër sëmundjeve malinje, hematologët shpjegojnë se si funksionon kjo terapi. Fillimisht i merret pak gjak pacientit, me inxhinieri gjenetike është bërë e mundur që limfocitet të identifikojnë receptorët që njohin qelizat e kancerit, duke shtyrë që po të njëjtat limfocite t’i sulmojnë ato. Kështu, limfocitet e manipuluara rifuten përmes transfuzionit të gjakut te pacienti. Mjekët besojnë se janë drejt një rruge të suksesshme të trajtimit të sëmundjeve të gjakut, pasi prej kohësh edhe ilaçet janë më të dobishme, ndërsa gjithnjë e më shumë edhe me kombinimin e disa terapive bëhet e mundur trajtimi i një sërë tumoreve të tjera, sikurse është edhe melanoma.

Kriza rrit kequshqyerjen te të moshuarit

Vendet e përfshira nga kriza ekonomike po vuajnë edhe krizën e kequshqyerjes. Të paktën kjo referohet në vendin tonë fqinj, Italinë. Sipas të dhënave të këtij vendi, nëse në vitin 2012 ishin 9 milionë italianë të kequshqyer, në vitin 2016 rezultojnë të jenë 11 milionë. E gjitha kjo ka ardhur për shkak të krizës ekonomike, çka ka detyruar rreth 10 për qind të popullsisë italiane, veçanërisht të moshuarit të ndiejnë më së shumti mungesën e ushqimeve të shëndetshme dhe të bollshme. Këto mungesa vihen re veçanërisht në sistemin shëndetësor, ku reflektohet shtim i rasteve më sëmundje kronike dhe shtimi i shtrimeve spitalore. Kategoria më e prekur nga këto probleme rezultojnë të moshuarit mbi 65 vjeç. Ndonëse theksohet shumë rëndësia e një diete ushqimore të shëndetshme, nënvlerësimi apo kequshqyerja ka pasojat e veta direkte në shëndetin e secilit prej nesh. Pasi dihet shumë mirë tashmë se një ushqyerje e shëndetshme dhe korrekte, ndikon në shëndetin tonë, madje në disa raste ndikojnë në përmirësimin e disa sëmundjeve, për të cilat ushqimi është faktor kyç.

Autizmi, kujdes nënat me probleme me sistemin imunitar

Keqfunksionimi i sistemit imunitar gjatë shtatzënisë shtojnë risqet për të pasur fëmijë autik deri të paaftë mendërisht. Një rezultat i tillë është konfirmuar nga studiues të Universitetit të Kalifornisë, të cilët po hetojnë për të evidentuar shkaqet e hershme që ndikojnë në stimulimin e autizmit. Në databazën e madhe të të dhënave, janë individualizuar 184 nëna, të cilat kanë pasur fëmijë autik dhe me prapambetje mendore. Mjekët kryen një sërë analizash dhe rezultoi se te nënat me fëmijë autik dhe prapambetje mendore, prania e ftohjes përgjatë tremestrit të dytë ishte shumë më i lartë në krahasim me nënat me fëmijë autik pa paaftësi mendore. Autorët hipotetizojnë se ndryshimet dhe alternimet e sistemit imunitar përgjatë shtatzënisë mund të çojnë në alterime të zhvillimit neurologjik të fetusit përgjatë zhvillimit të tij, të cilat më pas mund të zhvillojnë një nëntip problemi që lidhet me shfaqjen e autizmit dhe prapambetjes mendore. Ky studim mendohet të jetë një hap tjetër drejt gjetjes së shkaqeve që zhvillojnë autizmin te fëmijët.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles