Është e rëndësishme që të bëhen testet dhe ekzaminimet depistuese si kolonoskopia sepse në këtë mënyrë polipet zbulohen në stade të hershme dhe mund të hiqen në mënyrë të sigurt dhe të plotë. Parandalimi më i mirë për kancerin e zorrës është pikërisht depistimi ose kontrolli për polipe nëpërmjet kolonoskopisë
Mbase jeni duke vuajtur një problem të zorrës së trashë por hezitoni të kryeni kontrolle mjekësore. Edhe pse jo gjithmonë nuk është mirë të rritet niveli i alarmit, gjithsesi çdo problem me zorrën e trashë nuk duhet neglizhuar, pasi polipet e zorrës së trashë, shkaktare direkte të kancerit të zorrës shpesh nuk shkaktojnë simptoma. Mirëpo, sipas mjekëve është e rëndësishme që të bëhen testet dhe ekzaminimet evidentojnë praninë ose jo të sëmundjes. Apeli për kontrolle mjekësore shkon për të gjithë, pasi çdokush mund të zhvillojë polipe, por risku është më i madh në personat mbi 50 vjeç, në ata që janë mbipeshë dhe duhanpirës, ose në personat që kanë histori familjare për polipe ose për kancer të zorrës. Doktoresha gastrohepatologe Albana Duni shpjegon për “Mapo”-n, shenjat, stadet e sëmundjes si dhe format e trajtimit të saj dhe pse nuk duhet neglizhuar një kontroll mjekësor pranë mjekëve gastrohepatologë.
Polipet e zorrës
Polipet e kolonit ose të zorrës së trashë, janë rritje qelizore brenda lumenit të zorrës. Një pjesë e polipeve janë të parrezikshëm, por me kalimin e viteve disa polipe zhvillohen në kancer, gjë që është fatale kur zbulohen në stad të vonë. Polipet e zorrës së trashë shpesh nuk shkaktojnë simptoma. Është e rëndësishme që të bëhen testet dhe ekzaminimet depistuese si kolonoskopia sepse në këtë mënyrë polipet zbulohen në stade të hershme dhe mund të hiqen në mënyrë të sigurt dhe të plotë. Parandalimi më i mirë për kancerin e zorrës është pikërisht depistimi ose kontrolli për polipe nëpërmjet kolonoskopisë.
Tipet
Ekzistojnë disa tipe të polipeve të zorrë së trashë; kështu tipi i parë janë polipet adenomatoze; 2/3 e polipeve janë të tilla, por vetëm një përqindje e vogël e tyre mund të bëhen kancerozë. Por gati të gjitha polipet malinje janë adenomatozë. Tipi i dytë janë polipe serrated (të dhëmbëzuar): në varësi të madhësisë dhe të lokalizimit ato mund të bëhen kanceroze. Polipet e vogla me lokalizim në pjesën e poshtme të zorrës njihen si polipe hiperplastike dhe shumë rrallë janë malinj. Polipet e mëdha të formës së dhëmbëzuar që hyjnë te tipi i sheshtë (flat) dhe që lokalizohen në pjesën e sipërme të zorrës janë prekanceroze. Këto polipe është vështirë të zbulohen për shkak të formës së sheshtë të tyre, prandaj kërkohet një ekzaminim i kujdesshëm kolonoskopik. Së treti, janë polipe inflamatore, të cilat zhvillohen si pasojë e sëmundjes inflamatore të zorrës. Këto polipe në vetvete nuk janë të rrezikshme por rreziku qëndron te prania e sëmundjes inflamatore të zorrës siç është koliti ulceroz dhe sëmundja Crohn, pasi këto dy patologji me ecuri të gjatë çojnë në kancer kolorektal. Në këtë situatë personat me sëmundje inflamatore të zorrës duhet të ndjekin protokollet e kolonoskopisë me biopsi përgjatë gjithë zorrës në mënyrë që të zbulohen ndryshimet displazike të mukozës nëse kanë ndodhur me kalimin e viteve. Në një rast të tillë bëhet heqje e zorrës me kirurgji.
Shenjat
Shpesh herë për shkak të mungesës së ankesave ose të simptomave, polipet e zorrës zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimit kolonoskopik. Por ka raste që personat me polipe mund të kenë këto shenja. Hemorragji, d.m.th. prani e gjakut gjatë defekimit, mundet që të jetë e dukshme ose jo. Por hemorragjia mund të lidhet edhe me situatë të tjera jo të rrezikshme si hemorroidet dhe fisurat e anusit. Ndryshime të ngjyrës së jashtëqitjes me prani të rremave të gjakut, dalje me sekrecione si lëng qershie ose dalje me ngjyre të zezë. Ndryshimi në ngjyrë mund të vijë edhe nga ushqimi apo nga medikamentet e suplementet. Ndryshime të jashtëqitjes në formën e diarresë dhe konstipacionit të zgjatur mund të dyshojë praninë e ndonjë polipi të madh. Por edhe çrregullimet e jashtëqitjes mund të lidhen me situatë të ndryshme të regjimin higjieno-dietetik të personit, i sëmundjeve të ndryshme edhe jashtë zorrës apo si efekt anësor i përdorimit të medikamenteve. Dhimbje, të përziera ose të vjella: polipet e mëdha mund të bllokojnë hapësirën e zorrës (pengojnë zbrazjen e saj) duke shkaktuar kështu dhimbje barku dhe të vjella. Anemia nga mungesa e hekurit: shpesh hemorragjia kronike nga polipi mund të çojë në anemi që reflektohet me ulje të niveleve të hekurit në organizëm dhe personi ndjen lodhje, vështirësi në frymëmarrje. Kështu që në situata të tilla me dhimbje abdominal të zgjatura, diarre apo konstipacion kronik, hemorragji dhe anemi, mosha mbi 50 vjeç, sëmundje inflamatore të zorrës dhe histori familjare për polipe/ kancer të zorrës duhet të drejtoheni te mjeku gastro-enterolog.
Shkaqet
Faktorët që kontribuojnë në formimin e polipeve dhe të kancerit kolorektal, janë: mosha, pasi shumica e personave me polipe janë të moshës mbi 50 vjeç, por në praktikën e përditshme ka raste me polipe edhe në mosha më të reja gjë që mund të lidhet me historinë familjare. Sëmundja inflamatore e zorrës, koliti ulceroz dhe sëmundja Crohn janë situata që për shkak të transformimit displazik që pëson mukoza kolonike favorizon për kancer të zorrës. Historia familjare: d.m.th nëse një person i afërt i gjakut (gjyshi, prindi, motra, vëllai) diagnostikohet me polipe ose me kancer të zorrës së trashë, të gjithë familjarët të tjerë duhen kontrolluar me kolonoskopi në mënyrë që nëse ka polipe të hiqen dhe personi ndiqet në vazhdimësi dhe në këtë rast quhet i shpëtuar nga kanceri. Ka edhe raste me kancer kolorektal që nuk lidhen me trashëgiminë. Abuzimi me alkool dhe duhan, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik si dhe diabeti i tipit II i pakontrolluar.
Kontrollet
Testet depistuese luajnë një rol kyç në zbulimin e polipeve para se ato të bëhen kanceroze. Gjithashtu këto teste ndihmojnë të zbulohet kanceri në stade të hershme, atëherë kur ka shanse për shërim. Në praktikën tonë kemi pacientë të operuar për kancer të zorrës, të cilët ndiqen rregullisht dhe kanë mbijetuar për shkak të kapjes në stad të hershëm. Këto metoda kontrolli përfshijnë kolonoskopia, e cila është metoda më e mirë dhe më e ndjeshme për polipet dhe për kancerin kolorektal, sepse ky ekzaminim mundëson edhe heqjen e polipeve gjatë procedurës. Po kështu edhe kolonoskopia virtuale është një metodë më pak invazive që përdor skanerin për të parë zorrën, por nëse aty zbulohen polipe personi prapë se prapë duhet të shkojë në kolonoskopi për t’i hequr polipet. Gjithashtu testet e jashtëqitjes: feçe gjak okult (FOBT), testet fekale imunohistokimike (FIT), DNA test i feçeve (DNA).
Kirurgji
Opsionet e heqjes së polipeve, sikurse është heqja gjatë kolonoskopisë. Shumica e polipeve mund të hiqen me metodë të ftohtë: me lak të ftohtë kur janë disa mm, kur janë më të mëdhenj 0.9 mm-2 cm, injektohet në bazë të polipit sol fiziologjik ose adrenaline në mënyrë që të ngrihet polipi duke ndarë shtresën e mukozës së zorrës dhe me lak të nxehtë hiqet dhe pritet. Për të minimizuar riskun e hemorragjisë apo të çarjes së zorrës vendosen klipe që bashkojnë buzët e zonës së djegur. Heqja kirurgjikale rekomandohet për polipet shumë të mëdha. Heqja e zorrës dhe e rektumit aplikohet në rastin e sindromave familjare siç është polipoza familjare adenomatoze, Sindroma Lynch dhe sëmundja Gardner ku rekomandohet proktokolektomi – heqja e gjithë zorrës ese trashë në mënyrë që personi t’i shpëtojë riskut të madh për të bërë kancer të zorrës. Polipet e hequra dërgohen për biopsi në mënyrë që të dihet lloji i tyre, pasi me sy gjatë ekzaminimit ato nuk kuptohen se cili mbart risk për kancer dhe cili jo. Pas përfundimit të biopsisë përcaktohet nga mjeku mënyra e ndjekjes së personit nëpërmjet kolonoskopisë, sipas protokolleve të hartuara.
Ndjekja
Nëse personi ka patur polip adenomatoz ose polip serrated (të dhëmbëzuar) ka një risk të lartë për kancer pasi zorra mund të prodhojë polipe të tjera. Niveli i riskut varet nga përmasat e polipit, numri i polipeve, dhe karakteristikat histologjike të polipit adenomatoz të hequr. Kjo do të thotë që personi duhet të ndiqet me kujdes me ekzaminim kolonoskopik çdo 5 vjet nëse ka një ose dy adenoma të vogla. Kolonoskopi çdo 3 vjet nëse ka më shumë se 2 adenoma rreth 1 cm ose më shumë ose 1 adenoma me bazë të gjerë (viloze). Kolonoskopi më pak se 3 vjet nëse ka më shumë se 10 adenoma. Kolonoskopi çdo 6 muaj nëse ka një adenoma shumë të madhe ose adenoma që është hequr me pjesë. Është shumë e rëndësishme që përgatitja për kolonoskopi nga pacienti të bëhet sa më korrekte, d.m.th që zorra të pastrohet shumë mirë sipas instruksionit (të pihen 6 litra lëngje të kthjellëta dhe 4 litra të preparatit laksativ) në mënyrë që të mos këtë mbetje të feçeve pasi ato pengojnë për të zbuluar polipet e vogla.
Këshilla:
Për të ulur riskun e formimit të polipeve dhe të kancerit të zorrës së trashë duhet të kemi parasysh disa rregulla që kanë të bëjnë me stilin tonë të jetës
- Përdorimi i frutave, perimeve dhe krunde
- Sa më pak yndyra në dietën tonë
- Limitim i konsumimit të alkoolit dhe duhanit;
- Qëndroni fizikisht aktive dhe mbani një peshë trupore optimal
- Përdorni kalcium pasi studimet tregojnë që përdorimi i kalciumit mund të parandalojë rishfaqjen e adenomave të zorrës, por nuk dihet nëse kalciumi ka ndonjë benefit mbrojtjes për kancerin kolorektal. Kujdes problemet kardiake nga kalciumi
- Përdorni aspirinë rregullisht pasi ajo redukton riskun për polipe. Por duhet ditur që aspirina rrit riskun për hemorragji gastro-intestinale, kështu që flisni më parë me mjekun për këtë
- Konsideroni mundësitë tuaja nëse ju jeni në risk të lartë për kancer të zorrës. Nëse keni histori familjare për polipe ose kancer duhet të bëni kolonoskopinë që në rini