Nobeli në mjekësi për zbulimet mbi autofaginë
Shkencëtari japonez Yoshinori Ohsumi u nderua me çmimin Nobel të mjekësisë për punën e tij në autofagi, shkenca e cila merret me studimin e procesit të degradimit të qelizave dhe riciklimit të elementëve të tyre përbërës. “Zbulimet e tij i hapën rrugën kuptimit të rëndësisë themelore të autofagisë në shumë procese fiziologjike, si përshtatja e trupit ndaj urisë ose reagimi i tij ndaj infeksioneve” -tha përmes një deklarate Asambleja e Çmimit Nobel, në Institutin Karolinska të Suedisë për dhënien e çmimit me vlerë 930 mijë dollarë. 71-vjeçari Ohsumi është profesor në Institutin Teknologjik të Tokios. “Autofagia ka qenë e njohur për më shumë se 50 vjet”, tha Instituti Karolinska, “por rëndësia e saj themelore në fiziologji dhe mjekësi u bë e njohur vetëm pas studimeve të rëndësishme të Yoshinori Ohsumit në vitet 1990”. “Falë zotit Ohsumi dhe të tjerëve që ndoqën hapat e tij, ne tani e dimë se autofagia kontrollon funksionet e rëndësishme fiziologjike, ku komponentët qelizorë duhet të degradohen dhe të riciklohen”, thuhet në deklaratën e Institutit Karolinska. Shpjegimi që jep fondacioni Nobel për mekanizmin e autofagisë. Ne dimë se autofagia kontrollon funksionet e rëndësishme fiziologjike, ku përbërësit qelizorë duhen degraduar dhe ricikluar. Autofagia mund të ofrojë energji me shpejtësi dhe të ndërtojë blloqe për rinovimin e përbërësve të qelizave, ndaj dhe është thelbësore për përgjigjen e tyre ndaj urisë dhe llojeve të tjera të stresit. Pas infektimit, autofagia mund të eliminojë bakteret e dëmshme dhe viruset ndërqelizore. Autofagia kontribuon në zhvillimin e embrioneve dhe diferencimin e qelizave. Këto të fundit e përdorin autofaginë edhe për të eliminuar proteinat e dëmtuara dhe strukturat e tjera, një mekanizëm kontrolli cilësie që është kritik për reagimin ndaj pasojave negative të plakjes. Ndërprerja e autofagisë është e lidhur me sëmundjet e Parkinsonit, diabetin e tipit 2 dhe çrregullime të tjera që shfaqen në moshën e avancuar. Mutacionet në gjenet autofagike mund të shkaktojnë edhe sëmundje gjenetike. Problemet e hasura në makinerinë e autofagisë lidhen edhe me kancerin. Kërkimet e thelluara janë duke vijuar për të zhvilluar kurat që mund të prekin autofaginë në sëmundje të caktuara.
Zbulohet “çelësi” në tru që “fik” fobitë
Zbulohet mjeti i cili bën të mundur kontrollin dhe “fikjen” e fobive. Komandon faktorët që e shkaktojnë si dhe është i implikuar në terapitë psikologjike të lidhura me trajtimin e traumave. Studimi u udhëhoq nga Ki Goosens, i Institutit të Teknologjisë në Massachusetts dhe është publikuar në revistën mjekësore “Life”, të dhënat e të cilit tregojnë se është e mundur përmirësimi i terapive dhe bërja e tyre më efikase e jetëgjatë. Mënyra për të luftuar ankthin, fobitë dhe traumat ekzistojnë tashmë dhe shumë prej tyre janë të bazuara në teknikën zhdukjes apo “rinovimit” të situatave duke asociuar elementët që shpërthejnë frikën me situata pozitive. Efikasiteti i këtyre teknikave cilësohet si mjaft i mirë, por janë të kushtëzuara për shkak të jetëgjatësisë së tyre, pasi pas një fare kohe efektet pozitive stopojnë dhe problemet dalin në pah. Ndaj dhe për të zgjatur efektet pozitive të kurave, kërkuesit amerikanë kanë zhvilluar studime tek mekanizmat e trurit që aktivizojnë situatën e fobive. Pastaj ata kanë kryer vëzhgime mbi minjtë duke përdorur teknikat e optogenetikës, të cilat i lejojnë për të parë dhe për të marrë pjesë në kohë reale në qarqet e neuroneve duke aktivizuar impulse të lehta të dritës. Në këtë mënyrë, në strukturën e trurit e quajtur amigdala është identifikuar “çelësi” që aktivizon frikën dhe që mund të bëhet objektivi për të bërë më të qëndrueshme efektet e terapive.
INSTAT: Lindjet bien me 23%
Rënie drastike e lindjeve në vend. Alarmi vjen nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit nga viti në vit lindjet po bien me trend gati -gati të frikshëm. Kështu INSTAT thotë se:” Shtesa natyrore e popullsisë shqiptare është përgjysmuar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. INSTAT ka publikuar buletinin statistikor, sipas të cilit numri gjatë tremujorit të dytë të këtij viti në total u regjistruan 6.143 lindje, me një rënie 23 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Gjatë tremujorit të dytë 2016, numri i vdekjeve ishte 4.750 duke shënuar gjithashtu një rënie me 8 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015. Sipas Buletinit, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 79.638 familje, me një rënie prej 1,4 % krahasuar me tremujorin e parë 2016. INSTAT sjell gjithashtu të dhëna edhe mbi numrin e aksidenteve gjatë këtij tremujori. Në total janë regjistruar 507 aksidente. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë ky tregues është rritur 9,3 %, i shoqëruar dhe me rritjen e numrit të personave të aksidentuar me 12,7 %. Numri i personave të vdekur në aksidentet rrugore është 76 persona. Krahasuar me tremujorin e dytë 2015, numri i tyre është rritur me 11,8 %. Numri i personave të plagosur është 627, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur 14,1 %.
Një burrë “shërohet” nga HIV
Mendohet se një burrë është shëruar nga HIV, fakti mund të jetë i besueshëm pasi teknikat e përdorura janë risi të cilat janë shpresëdhënëse në krahasim me rastet e tjera. Sipas një studimi anglez, pjesëmarrës në të cilin ishin një sërë universitetesh, duke nisur që nga Oxford, Cambridge, Imperial College, University College London e King’s College, një burrë 44-vjeçar është shëruar plotësisht nga HIV, një virus i cili sulmon sistemin imunitar, sistemin natyral të mbrojtjes së trupit (SIDA). Por si mendohet se është shëruar ky burrë nga virusi HIV? Përmes kombinimit të kurave. Është pikërisht sulmi ndaj “virusit të fjetur”, vendi ku janë përqendruar shkencëtarët anglezë. Kura e re, akoma në fazë eksperimentimi, është e përbërë nga dy faza: e para përfshin bërjen e një vaksine e cila ndihmon organizimin që të njohë qelizat e infektuara dhe ti eliminojë. Ndërsa në fazën e dytë, molekula vorinostat aktivizon qelizat që përmbajnë “virusin e fjetur” në mënyrë që kapen dhe luftohen nga sistemi imunitar. Pikërisht do të jetë kjo fazë e dytë e cila mund të përfaqësojë kurën e parë kundër HIV. Deri tani kura e përdorur në kavje eksperimentale ka funksionuar edhe tek një 44 –vjeçar mbartës i HIV. Tani ne duhet të presim dhe të respektojmë kalimin e kohës dhe zhdukjen e vërtetë dhe të qëndrueshme të virusit. Analizat dhe testet laboratorike mbi burrin e shëruar nga HIV do të vazhdojnë edhe përgjatë 5 viteve në vijim.
Ushqyerja me formulë, fëmija me imunitet të dobët
Ushqyerja me formulë për foshnjat nuk përmban antitrupat të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe si sëmundjet me origjinë nga uji, si rrjedhojë e përzierjes së pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurt. Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë. Nëse kemi përdorur qumësht me formulë, por në mungesë të tij i japim qumësht gjiri, ky nuk është një opsion pasi sasia e qumështit të gjirit është zvogëluar. Ushqyerja me gji tek fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës. Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai i jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktarët kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën.