Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Diarretë dhe të vjellat, kur duhet të shqetësohemi

$
0
0

Entela Kolovani, mjeke infeksioniste Sherbimi i Semunjeve InfektiveSipas doktoreshës mungesa e lëngjeve në organizëm (dehidratimi) mund të jetë i rrezikshëm te fëmijët dhe te të moshuarit dhe ai duhet trajtuar menjëherë për të shmangur problemet serioze me shëndetin 

Diarretë hasen në çdo periudhë të vitit, por më të shpeshta janë në stinën e verës për shkak të temperaturave të larta, si dhe për shkak të përhapjes më të shpejtë të infeksioneve në këtë periudhë. Në shumë raste bashkë me diarretë shfaqen edhe të vjellat, probleme të cilat në gjuhën mjekësore quhen gastro-enterite. Si rezultat i humbjes së ujit dhe të kripërave minerale me të vjella dhe diarre, mund të shkaktohen çrregullime të rënda të metabolizmit dhe të qarkullimit të gjakut dhe për rrjedhojë mund të rrezikohet edhe jeta e të sëmurëve. Në një intervistë për MAPO, Doktoreshë e Shkencave Mjekësore Entela Kolovani, mjeke infeksioniste në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSU shpjegon se: “Nëse neglizhohet trajtimi, dhe diarreja zgjatet në kohë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një komplikacion të lehtë, por një problem serioz të organizmit. Personat që vuajnë nga diarreja mund të kenë 4 ose më shumë jashtëqitje në ditë. Në këto raste, diarreja shkakton dehidratim të trupit, çka do të thotë se trupi ka pamjaftueshmëri të lëngjeve për të kryer siç duhet funksionet e tij”. Sipas doktoreshës mungesa e lëngjeve në organizëm (dehidrimi) mund të jetë i rrezikshëm te fëmijët dhe te të moshuarit, dhe ai duhet trajtuar menjëherë për të shmangur problemet serioze me shëndetin.

Problemi

Diarreja është një dukuri patologjike që shfaqet me jashtëqitje shumë të shpeshtë të feçeve të ujshme në sasi të mëdha. Shpesh diarretë janë të kombinuara edhe me të vjella dhe në këtë rast kemi të bëjmë me ato që në gjuhën mjekësore i quajmë gastro-enterite. Si rezultat i humbjes së ujit dhe të kripërave minerale me të vjella dhe diarre, mund të shkaktohen çrregullime të rënda të metabolizmit dhe të qarkullimit të gjakut dhe për rrjedhojë mund të rrezikohet edhe jeta e të sëmurëve. Diarretë hasen në çdo periudhë të vitit, por më të shpeshta janë në stinën e verës për shkak të temperaturave të larta, si dhe për shkak të përhapjes më të shpejtë të infeksioneve në këtë periudhë. Në urgjencën e Shërbimit Infektiv, muajt e verës numri i pacientëve me gastroenterite dhe sindromë dispeptike shkon mbi 100. Shumica e rasteve, pas aplikimit të mjekimit përkatës në urgjencë dhe dhënies së mjekimit ambulator përmirësohen, por kemi edhe raste më të rënda që hospitalizohen apo përfundojnë në reanimacion nga çrregullimet e rënda të dehidratimit dhe humbjes së elektroliteve. Ato mund të prekin çdo moshë, teksa më të ndjeshëm janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit për arsye se edhe imuniteti në këto grupmosha është më i dobët.

Shkaqet

Shkaktarët janë të shumtë, shpeshherë edhe të paidentifikuar, por ndër shkaktarët më të shpeshtë që ne hasim janë gastroenteritet nga shkaktarë bakterialë si bakteri E.coli, salmonelozat dhe shigelozat, gastroenteritet nga lamblia (parazit i zorrës), lloje të ndryshme virusesh, si edhe mjaft agjentë të tjerë mikrobikë të paidentifikuar. Mungesa e higjienës është edhe një ndër faktorët që shton më shumë praninë e diarresë. Diarreja nga E.Coli përbën një nga shkaqet më të shpeshta të diarreve bakterore, me një periudhë inkubacioni 24-72 orë me feçe të ujshme, dhimbje barku, temperaturë subfebrile. Numri i daljeve diarreike shkon nga 4-8 herë në 24 orë. Çrregullimet intenstinale zakonisht kalojnë brenda dy ditëve. Diarrete nga shigela janë të përhapura në vendet me kushte higjieno-sanitare të këqija; burimi kryesor i sëmundjes është njeriu i sëmurë. Transmetimi bëhet me rrugë fekalo-orale, por edhe nëpërmjet ushqimeve të kontaminuara dhe ujit të ndotur,  ku dhe shpërthimi i sëmundjes merr karakter epidemik. Periudha e inkubacionit në diarretë nga shigella shkon nga 36 deri 72 orë me temperature, dalje diarreike 10-20 herë me feçe me mukus me gjak, tenezma, të vjella. Shkaktarë të tjerë bakterorë shumë të rëndësishëm janë edhe salmonelat, që vijnë si pasojë e ushqimeve të infektuara nga salmonelat. Ky infeksion mund të marrë formën e një epidemie midis personave që kanë ngrënë të njëjtin ushqim të kontaminuar. Pas një periudhe inkubacioni 12-45 orë, sëmundja fillon direkt me dhimbje barku, të dala diarreike 30-40 herë në 24 orë, temperaturë 38-39. Gjendja përmirësohet brenda 4-5 ditëve, por ndonjëherë temperatura dhe diarreja mund të zgjasin 10-15 ditë. Edhe stafilokoku njihet si shkaktar i gastroenteriteve si pasojë e toksinës që ai lëshon, e cila është e paraformuar në ushqime dhe që ka një periudhë të shkurtër inkubimi (1-8 orë), duke shkaktuar helmime ushqimore, ku të vjellat janë më të dukshme se diarreja. Nga shkaktarët virale të gastroenteriteve mund të perëndimin rotaviruset, coxsackie etj. Sëmundja zakonisht zgjat një javë. Rruga kryesore e përhapjes së këtyre infeksioneve është ajo fekalo-orale, pra nëpërmjet konsumimit të produkteve ushqimore ose ujit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga personat e infektuar. Klinika përfshin diarre të ujshme, të vjella. Po ashtu infeksioni mund të përhapet edhe në rrugë aerogene (nëpërmjet ajrit, nga spërklat e personave të infektuar).

Kujdes!

Në radhë të parë këto raste kërkojnë paraqitjen te mjeku dhe jo trajtim në shtëpi apo mjekime të marra nëpër farmaci. Situata mund të precipitojë shumë shpejt nga rast i lehtë në problematik në qoftë se nuk trajtohet si duhet. Terapia kryesore në këto raste është zëvendësimi i lëngjeve të humbura dhe kripërave minerale të cilat në varësi të gjendjes së pacientëve mund të merren në formë të perfuzioneve venoze (në spital) ose në formën e tretësirave orale (tresoli). Dhe më e rëndësishmja është mjekimi sipas shkaktarit që mjeku e përcakton në bazë të analizave laboratorike (ekzaminimi i gjakut, bilanci elektroliteve, koprokultura etj). Gjithashtu përdoren barna për uljen e temperaturës, lehtësimin e dhimbjeve të barkut apo mjekime të tjera sipas simptomatologjisë. Ashtu si edhe për të gjitha sëmundjet infektive rekomandimi i parë do të ishte higjiena e lartë vetjake, përgatitja pastër e ushqimeve, larja me ujë të bollshëm e të rrjedhshëm e frutave dhe perimeve, përdorimi i ujit të pijshëm i kontrolluar, kontrolli i ushqimeve, kujdesi  në frekuentimin e bareve dhe restoranteve, zbulimi i bartësve të infeksioneve dhe trajtimi i tyre. Shumë e rëndësishme është larja e duarve, pasi duart e palara janë burim i shumë infeksioneve. Personat që preken nga diarreja duhet të tregojnë shumë kujdes me ushqimet që përzgjedhin për të ngrënë gjatë përditshmërisë. Duhet evituar qumështi dhe nënproduktet e tij, ushqimet me yndyrë, ushqimet me përmbajtje të lartë fibrash ose ushqimet shumë të ëmbla. Këto ushqime kanë tendencë të përkeqësojnë diarrenë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522