Dashuri dhe punë, punë dhe dashuri, kjo është e gjitha! Është kjo shprehja e Frojdit që i rri më për shtat gruas që themeloi shume vite më parë në Tiranë, Klinikën Matrix Medical Centre.
Pakkush e di, por Matrix nuk është filmi ku luan Keanu Reeves, aktori i njohur hollivudian, as një titull futuristik që autori i vuri këtij filmi “Science fiction”.
Matrix ka një kuptim më të bukur, më domethënës, më përkëdhelës për sedrën e gruas: në latinisht do të thotë “Uterus” dhe personifikon idenë “E Reja që Gjeneron”.
Vetëm një grua si Eliona Demaliaj do të mund t’i vinte një emër të tillë klinikës së saj, Matrix Medical Centre.
Neuronet e trurit të saj janë stërvitur në mënyrë të tillë për të qenë perfeksioniste në gjithçka, rigorozë në studim, e përditësuar me risinë, me një fat të paracaktuar që në lindje, njësoj si Matrix; për t’ju përkushtuar mjekësisë, mjekësisë dhe mjekësisë.
Kur e pyesim për emrin e klinikës së saj, buzëqesh lehtë dhe shprehet që “pacientet ma bëjnë shpesh këtë pyetje dhe qesh me faktin që mendimi i parë i tyre lidhet me filmin”.
Na shpjegon me qetësi që termi “matrix” vjen nga latinishtja dhe nënkupton “uterus”. Një matrix është një mjedis ose strukturë në të cilën ka origjinën diçka, ose prej të cilës ajo zhvillohet.
“Jam mahnitur nga koncepti ‘Matrix’ shumë herët në adoleshencë, kur lexoja letrat e Frojd dhe Carl Jung. Ideja e të resë që gjeneron, kontribuon dhe zhvillohet, më erdhi në mend kur vendosa të krijoja klinikën time pasi u ktheva nga studimet”.
Doktoresha nga “La Sapianza”
Me një eksperiencë disavjeçare, Prof.ass Demaliaj, që në gjenezë ka vendosur t’i përkushtohet mjekësisë dhe t’i shërbejë pacientëve.
“Që kur kam filluar të mendoj për profesionin, mendimi i parë dhe i vetëm ka qenë mjekësia. Kjo, e ndikuar nga historia familjare, por mbase dhe nga pyetja që më ka shoqëruar që në fëmijëri. Çfarë do bëhesh kur të rritesh? Doktoreshë si mami? Prindërit e mi nuk kanë ndikuar në zgjedhjen e profesionit tim, por ajo që ishte e panegociueshme për ta, ishte kryerja me nivele të larta të studimeve të larta dhe dashuria për librin. Krenaria për mamanë time kirurge mund të ketë ndikuar në mënyrë të pavullnetshme.
Sot mendoj që të punosh në fushën e mjekësisë është krenari dhe sakrificë njëkohësisht, sidomos për nje grua.” – thotë Demaliaj për dritare.net.
Ndihet në të folurën e saj që e adhuron profesionin dhe njëkohësisht ka një ndjenjë supremacie për të.
Doktoreshë Eliona, njëkohësisht edhe pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, njihet si brezi i atyre mjekëve me përvojë të cilët kanë studiuar në aulat europiane dhe janë kontigjenti i “trurit” që vendosën të kthehen në Shqipëri për të ushtruar profesionin, duke luftuar për t’i bërë vend vetes, në një terren ku jo gjithmonë konkurrenca është e ndershme, pavarësisht bagazhit të dijeve që sjell me vete. Në një terren ku puna dhe aftësia shpeshherë nuk është kriteri i parë i vlerësimit. Ajo solli si pasuri nga Italia gjithçka mësoi dhe përvetësoi nga sallat, bibliotekat, profesorët e Universitetit shtetëror “La Sapienza”, Romë.
Ky universitet është themeluar në vitin 1303. Është një nga universitetet më të vjetra jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën.
“Kam kryer masterin dhe doktoratën në Itali. Kam kaluar fazën e konkurrimit, konkursin dhe të gjitha standardet e vendosura nga ky institucion akademik. Jam krenare që kam fituar vendin me konkurs mes 150 konkurrentëve të tjerë dhe jo me bursë.
Kam pasur profesorë shumë të mirë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri dhe i jam mirënjohëse kujtdo që më ka mësuar dhe ndihmuar në profesion.
Mund të them se mjekët e brezit të dytë, pra 35-45 vjeç janë shumë të mirë, të përgatitur për të marrë stafetën dhe premtues për përparimin e mjekësisë shqiptare” – tregon Demaliaj për dritare.net
Jo pa shkak në klinikën Matrix Medical Centre, që është edhe krijesë e punës së saj, doktoresha në një kornizë të stilit klasik ka vendosur përballë vendit të punës diplomën e doktoraturës që mban vulën “La Sapienza” krahas asaj të Profesorit të asociuar që e ka fituar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Nëndrejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”
Dita e Elionës është e ndarë mes punës me pacientët, si mjeke, kohës që i kushton mësimdhënies dhe studentëve në fakultet, e detyrimeve që ka për institucionin si nëndrejtoreshë mjekësore e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
“Spitali Universitar “Mbretëresha Geraldinë” ka qenë dhe vazhdon të jetë në pararojë. Mjekët, drejtoria dhe gjithë stafi përpiqet dhe punon intensivisht për të mbajtur arritjet e viteve dhe për të pasur rezultate sa më të larta ne vazhdim.
Ky institucion ka mbi shpatulla histori, por puna e përditshme dhe arritjet e sotme janë të tilla që e justifikojnë besimin dhe premtojnë shërbim sa më të mirë shëndetësor” – thotë nëndrejtoresha e maternitetit, Demaliaj.
Pavarësisht të gjithave, informacioni që ajo ka në fusha të ndryshme për sektorë të veçantë edhe jashtë mjekësisë, të detyrojnë të jesh e vëmendshme në ato çfarë thotë. Ndihet që adhuron librin dhe tregon që lexon shumë letërsi të cilën vazhdon ta ketë pasion.
Mund të flasë për gjithçka, përveçse për veten e saj. Është shumë e vështirë t’i shkëpusësh një komplimet ose mburrje për veten dhe për punën e saj, a thua se gjithçka që bën është e zakonshme. Modeste në maksimum, që nuk mbyll asnjë thirrje në telefon dhe nuk lë asnjë mesazh pa përgjigje.
Por janë të tjerët që flasin për të, pacientët e saj që jo thjesht i janë mirënjohëse, por e duan. I ka bërë të provojnë mëmësinë, kur ka qenë e pamundur për to, i ka shoqëruar në ditët më të bukura të një gruaje, shtatzaninë e saj, me kujdes dhe vëmendje, i ka shoqëruar në lindje, megjithë përkushtimin e një gruaje për një grua. I ka dashur, ndaj e duan, si uniken dhe të rrallën që nuk të lë kurrë në baltë, në ditë të mira dhe të këqija, që çdo grua ka dhe një tjetër grua, ia kupton dhe ia bën të lehtë ç’është e vështirë dhe të paharrueshme, çfarë është e bukur. Ajo nuk i tregon emrat e grave që hyjnë e dalin te Matrix Medical Centre me të fshehtat e çdo pacienti, por janë pacientet e saj që ia mbushin atë dhomë gjithë lule, për t’i treguar sa të lumtura janë që është doktoresha e tyre.
Çfarë është te Matrix Medical Centre , nuk gjendet askund tjetër
Klinika Matrix Medical Centre që ajo drejton, ofron shërbime në fushat e gjinekologjisë, obstetrikës, kirurgjisë plastike dhe estetikës. Krahas konsultave të ndryshme, ekzaminimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, klinika ofron një laborator modern, në të cilin mund të kryhen analiza biokimike, mikrobiologjike, hormonalë, imunologjike.
Doktoresha i pret e i përcjell të gjithë me buzëqeshje, me humor të hollë e batuta që i vijnë natyrshëm.
Tepër krenare për këtë qendër ajo shprehet se qendra ofron pajisjet diagnostikuese të gjeneratës së fundit si ekografia 4D apo pajisje të tjera pararojë. Bashkëpunimi që kjo qendër ka me shumë klinika dhe laboratorë në Itali janë një vlerë e shtuar.
Sipas këtij parimi ka ecur edhe puna në Matrix Medical Centre. Jo më kot, shprehet Prof.ass Eliona Demaliaj, moto e klinikës është:Health & Mind./dritare.net