Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Sëmundja: 5 kategoritë e personave që rrezikohen nga tuberkulozi

$
0
0

Kur njerëzit me TB teshtijnë, pështyjnë apo shfryjnë hundët, ata përhapin mikrobet e TB-së në ajër. Një personi tjetër do t’i duhej të binte në kontakt (nëpërmjet ajrit) me një numër të vogël të këtyre mikrobeve për t’u infektuar

Tuberkulozi shkaktohet nga bakteri (Mykobakterium Tuberkulozis), i cili në të shumtën e rasteve prek mushkëritë. Tuberkulozi është i kurueshëm dhe parandalohet. TB-ja përhapet nga njeriu te njeriu nëpërmjet ajrit. Kur njerëzit me TB teshtijnë, pështyjnë apo shfryjnë hundët, ata përhapin mikrobet e TB-së në ajër. Një personi tjetër do t’i duhej të binte në kontakt (nëpërmjet ajrit) me një numër të vogël të këtyre mikrobeve për t’u infektuar. Në botë, rreth një e treta e popullsisë kanë formën latente të TB-së, që do të thotë se ata janë infektuar nga bakteri i TB-së, por akoma nuk janë sëmurur, prandaj ata nuk mund ta transmetojnë sëmundjen. Njerëzit e infektuar me TB kanë 10% rrezik të sëmuren me TB. Megjithatë, personat me sistem imunitar të goditur nga sëmundje si p.sh. persona të cilët kanë HIV, diabet, vuajnë nga kequshqyerja, apo përdoruesit e duhanit, janë më tepër të rrezikuar për t’u sëmurur me TB.

Sëmundja

Kur personi sëmuret me TB, simptomat (kollitja, ethet, djersitja natën, humbja në peshë etj.) mund të jenë të dobëta për një kohë të gjatë, disamujore. Kjo bën që pacienti të mos kërkojë ndihmë mjekësore, dhe rezultati do të jetë transmetimi te të tjerët gjatë kësaj periudhe. Njerëzit me TB aktiv mund të infektojnë nga 10 deri në 15 persona gjatë kontaktit të afërt për një periudhë 1-vjeçare. Pa trajtimin e duhur, shumica e të sëmurëve do të humbin jetën.

Kush është më i rrezikuar?

Tuberkulozi prek më shumë të rriturit gjatë periudhës më aktive të jetës. Megjithatë, të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara. Mbi 90% e rasteve dhe vdekjeve ndodhin në vendet në zhvillim. Njerëzit e infektuar me HIV janë 20 deri 30 % më të predispozuar të shfaqin sëmundjen e TB-së. Rreziku është i madh edhe tek ata individë që vuajnë nga sëmundje me ndikim në sistemin imunitar. Përdorimi i duhanit rrit shumë rrezikun e TB-së dhe vdekjes. 20 % e rasteve me TB i atribuohen duhanpirjes.

Impakti global i tuberkulozit

Në vitin 2014, rastet më të shumta me TB u numëruan në Azinë Juglindore dhe Rajonin e Paqësorit Perëndimor, ku numri arriti në 58 % të rasteve të reja në botë. Megjithatë, Afrika mbart situatën më të rëndë me 281 raste për 100.000 banorë në vitin 2014 (krahasuar me mesataren globale me 133 raste). Në vitin 2014, rreth 80% e raportimeve me TB u dhanë nga 22 vende, ku 6 vendet me të prekura ishin India, Indonezia, Nigeria, Pakistani, Republika Popullore e Kinës dhe Afrika e Jugut.

Shenjat

Shenjat e përbashkëta të tuberkulozit aktiv të mushkërive janë e kollitura me gëlbazë dhe gjak, dhimbja e gjoksit, dobësia, humbja në peshë, ethet dhe djersitja gjatë natës.

Trajtimi

Tuberkulozi është sëmundje e cila mjekohet dhe shërohet. Trajtimi standard zgjat 6 muaj dhe mjekohet me barna antimikrobike të dhëna nga mjeku, punonjësi i shëndetësisë apo një vullnetar i trajnuar. Pa suportin e tyre, trajtimi mund të mos merret si duhet dhe sëmundja mund të përhapet. Shumica e rasteve me TB mund të kurohet me medikamente, dhe e rëndësishme është të merren sipas këshillave nga specialistët e shëndetit. Gjatë vitit 2000 deri në vitin 2014, afërsisht 43 milionë jetë janë shpëtuar nga diagnostikimi dhe mjekimi i TB-së.

Tuberkulozi dhe HIV

Në botë gjatë vitit 2014, të paktën një e treta e njerëzve me HIV ishin të infektuar me bakterin e TB-së. Njerëzit me HIV janë 20 deri 30 herë më të predispozuar të marrin sëmundjen e TB-së aktiv se ata të painfektuar me HIV. Kombinimi i HIV-it me TB-në është vdekjeprurës, pasi ndihmon progresin e shpejtë të përhapjes së secilit. Në vitin 2014 rreth 0.4 milion njerëz vdiqën nga TB-ja shoqëruar me HIV, janë regjistruar 1.2 milion raste të reja të TB-së te njerëzit të cilët ishin me HIV pozitiv, ku 74% e tyre jetonin në Afrikë. OBSH-ja rekomandon masa trajtimi dhe parandalimi të infektimit dhe trajtimit të sëmundjeve infektive, për të zvogëluar numrin e vdekjeve.

Tuberkulozi, rezistent ndaj barnave

Barnat e përdorura në protokollin e mjekimit standard të TB-së janë përdorur për dekada me radhë, dhe rezistenca ndaj mjekimit është mjaft e përhapur. Rezistenca e mjekimit me disa barna (MDR-TB) është një formë e TB-së shkaktuar nga bakteri i cili nuk reagon ndaj isoniazidit dhe rifampicinës, 2 barnat më të fuqishme në trajtimin standard kundër TB-së. Shkaktari kryesor i rezistencës ndaj barnave të TB-së është trajtimi i pasaktë. Një përdorim i tillë i barnave antituberkuloz, apo përdorimi i barnave jocilësore mund të shkaktojë rezistencë ndaj mjekimit. Sëmundja në të tilla situata nuk reagon ndaj mjekimit me barnat e zakonshme të mjekimit standard apo barnat e linjës së parë. Rastet e rezistencës ndaj barnave trajtohen duke përdorur mjekimin e linjës së dytë. Megjithatë, opsionet për mjekim me barna të tjera është i limituar dhe mjekimi i linjës së dytë i rekomanduar mund të mos jetë gjithmonë i aksesueshëm.

 

 

Fakte për tuberkulozin

  • Në botë, në vitin 2014 rreth 480.000 njerëz patën probleme me rezistencën ndaj mjekimit me medikamente antituberkuloz.
  • Rezultati që duam të arrijmë është ta ndalim TB-në. Incidenca e TB-së ka rënë me një mesatare rreth 1.5% në vit që nga viti 2000, ndërsa sot është 185% më e ulur se niveli i vitit 2000.
  • Tuberkulozi është një nga sëmundjet infektive vdekjeprurëse. Në vitin 2014, 9.6 milionë njerëz u sëmurën me TB dhe 1.5 milionë humbën jetën nga kjo sëmundje.
  • Rreth 95% e vdekjeve nga TB-ja ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. TB-ja renditet ndër 5 shkaktarët kryesorë të vdekjes te gratë e moshës 15-44 vjeç.
  • TB-ja është shkaktari kryesor i vdekjeve tek individët me HIV pozitiv: në vitin 2015, 1 në 3 individë me HIV pozitiv humbën jetën për shkak të TB-së.
  • Vdekshmëria ra në 47% ndërmjet viteve 1990 dhe 2015.
  • Afërsisht 43 milionë jetë njerëzish janë shpëtuar nëpërmjet diagnostikimit të TB-së dhe trajtimit në vitet 1990-2014.
  • Dhënia fund e epidemisë së TB-së në vitin 2030, përbën një nga objektivat shëndetësorë të së ardhmes.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522