Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Problemet me thonjtë: Si trajtohet morthi dhe infeksionet

$
0
0

ardiana-sinanajSigurisht që ndryshimet dhe lëndimet që pësojnë thonjtë tanë janë shenja për prani të sëmundjeve të ndryshme në organizmin tonë. Prania e sëmundjeve të ndryshme në organizëm jep shenja edhe në zhvillimin jo normal të thonjve, shenja këto të evidentuara nga mjekët ndihmojnë në vendosjen e diagnozave të ndryshme 

Vitet e fundit gjithnjë e më shumë tregohet kujdes i veçantë ndaj thonjve të duarve apo edhe të këmbëve. Përkujdesja ndaj tyre është shtuar edhe në rrafshin estetik ku trajtimet e ndryshme zënë vendin e parë. Por përveç kujdesit estetik që tregohet ndaj tyre duhet ditur se thonjtë luajnë rol mbrojtës, dhe në disa raste janë sinjalizuesit kryesorë për hetimin e problemeve dhe sëmundjeve që po kalon trupi ynë. Ndryshimet dhe lëndimet që pësojnë thonjtë tanë janë shenja për prani të sëmundjeve të ndryshme në organizmin tonë dhe këto shfaqen përmes disa shenjave, si dhe në zhvillimin jo normal të thonjve, nëse këto shenja evidentohen nga mjekët ndihmojnë në vendosjen e diagnozave të ndryshme. Por veçanërisht gjatë sezonit aktual problemi kryesor te thonjtë është morthi, i cili prek thonjtë e duarve dhe të këmbëve. Patologji e cila shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe në personat të cilët vuajnë nga qarkullimi i dobët periferik i gjakut. Përveç morthit, vlerësohet se problemet më të shpeshta te thonjtë janë infeksionet, qofshin bakteriale, virale apo mykotike ndaj dhe në një intervistë për gazetën “Mapo” mjekja dermatologe Ardiana Sinani shpjegon kujdesin që duhet treguar për thonjtë gjatë sezonit të dimrit dhe veçanërisht për infeksionet e thonjve, cilat janë trajtimet e duhura për të shmangur çdo lloj problemi që mund të shfaqet më pas në shëndet.

Më rënien e temperaturave shumë persona kanë probleme pasi shfaqet morthi. Çfarë e favorizon më së shumti, morthin?

Ditët e ftohta të dimrit përveçse na kufizojnë në aktivitetet tona, për shkak të të ftohtit ndikojnë edhe në lëkurën tonë duke e tharë, ashpërsuar, e skuqur atë. Lëkura e acaruar, hunda e skuqur janë më se të zakonshme në këtë stinë. Në ditët e acarta e shumë të ftohta duhen mbajtur doreza dhe çorape të ngrohta sepse kapilarët periferikë në lëkurën e duarve dhe këmbëve pësojnë spazma dhe ngushtohen duke mos lejuar qarkullimin normal të gjakut që njërin nga funksionet ka edhe të ngrohë lëkurën dhe shfaqet ajo që quhet pernio, (morthi) i cili shkakton skuqje, ënjtje dhe kruajtje të lëkurës së gishtërinjtë tuaj të duarve dhe këmbëve.

Si shfaqet sëmundja dhe cilat janë shenjat që mund të hetojmë?

Morthi është një patologji që shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe në personat që vuajnë nga qarkullimi i dobët periferik i gjakut. Morthi është një patologji që shfaqet kryesisht në periudhën e dimrit ku temperaturat janë të ulura. Përgjithësisht morthi lokalizohet kryesisht në duar, në këmbë, në veshë, në hundë dhe në faqe ( sidomos te fëmijët e ushqyer keq) dhe favorizohet prej lagështirës. Pacientët kanë një edemë (fryrje) të lehtë të gishtave të duarve apo të këmbëve dhe shpesh nuk e dinë që vuajnë nga një patologji e tillë. Këtë e kuptojnë më vonë kur edema bëhet më e theksuar, fillojnë që duart të dhembin, të djegin dhe njëkohësisht në zonat e prekura fillojnë e skuqen. Kjo vjen si rezultat i stazës së gjakut, (grumbullimit të gjakut) si rezultat i mosfunksionimit mirë të qarkullimit të gjakut.

A mund të parandalohet morthi?

Në mjekimin e morthit në radhë të parë ndihmojnë shumë masat që duhen të merren për mbajtjen ngrohtë të trupit nëpërmjet veshjeve të ngrohta dhe të përshtatshme për stinën e ftohtë të dimrit. Shmangia e ndryshimeve të shpejta të temperaturës (dalja e menjëhershme nga ambientet e nxehta në ato të ftohta). Përdorimi i këpucëve, çorape dhe doreza të ngrohta. Përdorimi i kapuçave dhe shallit për të mbrojtur veshët dhe hundën. Shmangni çorape, këpucë të ngushta. Shmangni përdorimin e ujit të ftohtë për larje dhe ujit shumë të nxehtë.

Cilat janë mënyrat e trajtimit?

Përdorimi lokalisht në lëkurë i pomadave me bazë kortizoni, i cili ndihmon në lehtësimin e kruarjes dhe ënjtjes. Aplikimi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i pomadave emoliente zbutëse dhe hidratuese për duart. Përdorimi i medikamenteve vazodilatatore (zgjeruesit e enëve të gjakut) si adalati ( Nifedipina) apo diltiazemi. Zgjerimi i enëve të gjakut redukton dhimbjen dhe shpie në një shërim më të shpejtë. Përdorimi i medikamenteve që ndihmojnë në përmirësimin e fluksit të gjakut siç është pentoxifylline (Trental). Përdorimi i multivitaminave të ndryshme me bazë kalciumi dhe vitaminë D dhe C.

Ndryshimet dhe lëndimet që pësojnë thonjtë tanë, a janë shenja për prani të sëmundjeve të ndryshme në organizmin tonë?

Sigurisht që po, prania e sëmundjeve të ndryshme në organizëm jep shenja edhe në zhvillimin jo normal të thonjve, shenja këto të evidentuara nga mjekët ndihmojnë në vendosjen e diagnozave të ndryshme.

Vlerësohet se problemet më të shpeshta te thonjtë janë infeksionet, qofshin bakteriale, virale apo mykotike, si mund të hetohen?

Një nga infeksionet më të shpeshta të thonjve janë ato mykotike. Fillimisht infeksioni mykotik kap vetëm një thua dhe më pas përhapet në të gjithë thonjtë e tjerë. Më shpesh infeksioni mykotik i thonjve vjen nga infeksioni mykotik i lëkurës rreth thoit. Trajtimi i hershëm i mykut të lëkurës parandalon dhe mykun e thonjve, i cili është një sfidë për t’u trajtuar për shkak të kohës së gjatë të medikamenteve antimykotike që duhen përdorur dhe efekteve të tyre anësore për shkak të këtij përdorimi të gjatë. Sëmundjet mykotike apo edhe ato bakteriale diagnostikohen klinikisht dhe për të qenë më të sigurt në diagnozë përdoren teste të ndryshme laboratorike, përgjithësisht mikrobiologjike.

Çfarë mjekimi këshilloni për mjekimin e infeksioneve?

Infeksionet e ndryshme të thonjve mjekohen sipas shkaktareve të infeksioneve. Nëse ato janë mykotike përdoren antimykotik lokal dhe sistemik, nëse janë bakterial përdoren antibiotik lokal apo sistemik, kjo në varësi të shkallës së infektimit.

 

 

Roli i thonjve

Roli i thonjve është mbrojtës. Thoi është rreth 0.5-0.7 mm i trashë. Ai ndërtohet nga 100-150 shtresa. Trashësia e thoit rritet nga fëmijëria 600 um në 900 um, në moshën e rritur dhe në moshën e vjetër rreth 1100 um. Thoi rritet me 0.9 mm në javë. Rritja varet gjithashtu dhe nga stinët dhe mosha. Thoi i gishtit të mesit rritet më shpejt se të tjerët dhe thonjtë e dorës dominante rriten më shpejt se ata të dorës tjetër. Thoi e transmeton dritën e diellit në valët UVA 1-3% dhe UVB 5-10 %, kjo sasi drite është e mjaftueshme të shkaktojë prishje të thoit, (photo onycholoisis).

Këshilla për trajtimin e morthit:

Hani një dietë të ekuilibruar me proteinë më shumë në këtë periudhë e pak karbohidrate nuk do ju bëjnë dëm sepse japin një burim të vazhdueshëm energjie për të përballuar të ftohtin e dimrit. Mos harroni të hidratoheni vazhdimisht. Është e rëndësishme që të pini ujë të mjaftueshëm për të mbajtur lëkurën tuaj dhe flokët të hidratuar. Pjesa më e madhe e njerëzve e ulin shumë konsumin e ujit gjatë periudhës së dimrit, por mos harroni që hidratimi në dimër është po aq i rëndësishëm sa në verë edhe pse nuk djersisim apo ekspozohemi në diell. Konsumimi i frutave të tilla si shega, portokalli çdo ditë do të ndihmojnë në furnizimin e trupit tuaj me antioksidantët më të fuqishëm dhe do ju ndihmojnë për një lëkurë dhe flokë të shëndetshëm. Ushqimi me një dietë të shëndetshme e plot me vitamina dhe antioksidantë që gjenden me shumicë te frutat e stinës është mënyra më e mirë për të mbajtur flokët tuaj dhe lëkurën e shëndetshme.

Këshilla për trajtimin e infeksioneve të thonjve:

Për sa i përket përdorimit të manikyrit apo thonjve artificialë (me xhel) përdorimi i tyre nuk duhet të jetë pa kriter, i përsëritur shpesh, pas çdo aplikimi të tillë duhet të përdorin vazhdimisht kremra hidratues dhe kremra xhel me përmbajtje vitaminash dhe acidi hialurinik që aplikohen në sipërfaqen e thoit, pas heqjes së thonjve artificialë duhet t’iu lëmë kohë thonjve tanë për një rigjenerim përpara se të bëjmë një aplikim tjetër me xhel. Kremrat me acid hialurimik janë më të mirët për rigjenerimin e thonjve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522