Në një intervistë për “Mapo”, dr. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe në spitalin “Hygeia” shpjegon rëndësinë e vitaminës D, pse është e domosdoshme veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, po kështu sa është niveli i duhur i kësaj vitamine dhe si mund të ndihmojë disa lloje të sëmundjeve reumatizmale
Fatmirësisht vendi ynë nuk vuan nga mungesa e rrezeve të diellit. Përgjatë gjithë vitit Shqipëria numëron më shumë se 260 ditë të tilla. Detyrimisht ekspozimi në diell është i lartë, por jo gjithmonë trupi ynë arrin të përthithë sasinë e duhur të vitaminës D. Vitaminë kjo të cilën trupi ynë e siguron nëpërmjet ekspozimit në diell dhe dietës ushqimore. Në një intervistë për “Mapo”, dr. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe në spitalin “Hygeia” Tiranë, shpjegon rëndësinë e vitaminës D, pse është e domosdoshme veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, dhe si mund të ndihmojë disa lloje të sëmundjeve reumatizmale. Për këtë mjekia reumatologe Dhamo sqaron gjithashtu se ekziston një lloj analize e cila mat nivelin e vitaminës D të pranishme në trupin tonë dhe apelon për kryerjen e saj, pasi mungesa e kësaj vitamine: “Përgjithësisht nuk ka asnjë shenjë trupore prandaj është e rëndësishme që personat e rrezikuar ta matin vitaminën D në gjak. Interpretimi i rezultatit dhe mjekimi nëse do të jetë i nevojshëm bëhet nga mjeku reumatolog”.
Çfarë është Vitamina D?
Vitamina D quhet ndryshe dhe vitamina e diellit. Ajo është një element i rëndësishëm për shëndetin kockor dhe jo vetëm. Trupi ynë e siguron vitaminën D nëpërmjet ekspozimit në diell (rrezet UV-B) dhe dietës ushqimore. Kjo lloj vitamine D që sigurohet nga jashtë duhet të përpunohet në mëlçi dhe veshka që të ushtrojë efektin e saj në kocka.
Cilat janë efektet e Vitaminës D?
Vitamina D nxit thithjen e kalciumit në zorrë. Ajo është elementi bazë që rregullon metabolizimin e mineraleve në kockë. Falë saj dhe kalciumit të rriturit mbrohen nga osteoporoza dhe osteomalacia, dy sëmundje që e dobësojnë kockën dhe rrisin riskun për fraktura. Vitamina D parandalon rakitizmin dhe kariesin dentar te fëmijët. Por efektet e saj nuk janë vetëm në kocka. Vitet e fundit po bëhen studime të cilat kanë hedhur dritë mbi të tjera efekte shumë të rëndësishme të kësaj vitamine në trupin tonë. Diskutohet roli i saj mbrojtës kundër disa lloje kanceri si p.sh.; i zorrës së trashë, i gjirit dhe i prostatës. Gjithashtu, vitamina D është në studim kërkimor edhe si faktor mbrojtës kundër diabetit tip 1 dhe 2, sklerozës multiple, depresionit, sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjeve alergjike dhe infeksioneve.
A ka ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e personave të prekur nga ulja e Vitaminës D?
Mungesa e vitaminës D është më e shpeshta krahasuar me mungesat e vitaminave të tjera në trup. Në vendet europiane vlerësohet rreth 40 % e popullatës adulte të kenë pamjaftueshmëri të vitaminës D. Në Shqipëri nuk kemi akoma të dhëna zyrtare, por nga praktika ime në Spitalin Hygeia mund të them se dhe Shqipëria po përballet me të njëjtin problem.
Kush janë shkaqet e mungesës së Vitaminës D në trup?
Te fëmijët e vegjël shkak kryesor është ushqyerja ekskluzivisht me qumësht gjiri dhe mosekspozimi në diell. Qumështi i gjirit ka nivele shumë të ulëta të kësaj vitamine ( 25-70 UI/L). Mbyllja e fëmijëve në kopshte dhe qendra kursesh pa u ekspozuar në ambiente të hapura me diell është një shkak tjetër i uljes së vitaminës D te fëmijët. Për të rriturit shkaku kryesor është mungesa e ekspozimit në diell. Rrezatimi UV-B që është burimi kryesor i vitaminës D ndikohet nga disa faktorë. Ndër to mund të përmend stinën e vitit (në dimër ka më pak rreze UV-B në krahasim me verën), ora ditore (paradite ka më shumë rreze UV-B), prania e reve në qiell (retë reduktojnë rreth 50% rrezatimin UV-B), niveli i smogut (ndotja e ajrit e ul deri në 60 %) dhe prania e melaninës në lëkurë. Rrezatimi UV-B nuk e depërton xhamin prandaj qëndrimi në ambiente të mbyllura dhe qarkullimi me makina na rrezikon për nivele të ulëta të vitaminës D. Masat parandaluese që marrim çdo ditë ndaj kancerit te lëkurës me kremrat mbrojtës ( SPF > 10) janë një tjetër pengesë për prodhimin e vitaminës D nga lëkura. Duhet theksuar se njerëzit nuk e aplikojnë si duhet kremin mbrojtës (disa herë në ditë, në të gjitha sipërfaqet e zbuluara) prandaj lëkura megjithëse me krem mbrojtës arrin të sintetizojë vitaminën D.
Cilat janë shenjat e mungesës së vitaminës D?
Te fëmijët mungesa e saj manifestohet si vonesë në ngritjen në këmbë (shumica e fëmijëve ecin në moshën 10-15 muajsh). Fëmijët me ulje të vitaminës D preferojnë më shumë të rrinë ulur se sa të ecin. Ata kanë një harkim karakteristik të kockave të këmbëve dhe vonesë të mbylljes së fontanelave në kokë. Të rriturit si rezultat i mungesës së vitaminës D kanë ngërçe muskulore të vazhdueshme dhe dhimbje. Kocka e kërcirit bëhet e dhimbshme kur krijojmë presion mbi të. Por shenjat janë prezente vetëm në raste të avancuara. Përgjithësisht nuk ka asnjë shenjë trupore prandaj është e rëndësishme që personat e rrezikuar ta matin vitaminën D në gjak.
Cilët janë të rrezikuar nga mungesa e Vitaminës D?
Në radhë të parë janë dy ekstremet e moshave, fëmijët që ushqehen vetëm me gji dhe të moshuarit. Fëmijët për arsye që u diskutuan më sipër, kurse të moshuarit sepse lëkura e tyre iu nënshtrohet ndryshimeve të plakjes dhe nuk sintetizon mjaftueshëm vitaminë D. Për shkak të sëmundjeve kronike të lidhura me moshën, të moshuarit kalojnë më shumë kohë brenda se sa jashtë. Një tjetër kategori e rrezikuar janë dhe personat që nuk ekspozohen në diell, të paktën dy herë në javë për 5-30 minuta. Këtu mund të përmend femrat që rrinë të mbuluara për shkaqe fetare dhe personat që kanë punën në ambiente të mbyllura. Te njerëzit me lëkurë të errët në krahasim me të bardhët preken më shpesh nga mungesa e vitaminës D për shkak të pranisë së lartë të melaninës në lëkurë, e cila e absorbon rrezatimin UV-B duke penguar sintezën e saj. Të rrezikuar janë dhe personat e sëmurë me fibrozë cistike, sëmundje kronike të mëlçisë dhe veshkave, sëmundje inflamatore të zorrës, si p.sh.; Sëmundja Crohn, Koliti ulceroz dhe Celiakia. Personat obezë janë një tjetër kategori e prekur. Kjo sepse indi dhjamor nën lëkurë pengon futjen e vitaminës D në qarkullim. Shumë njerëz i nënshtrohen sot by pass-it të stomakut për t’u dobësuar, pa ditur se ky operacion mund të bëhet shkak i uljes së vitaminës D. Në këta individë një pjesë e zorrës së hollë ku thithet vitamina nuk është më pjesë aktive e traktit tretës. Personat me alergji nga qumështi apo intolerancë nga laktoza, vegjetarianët dhe veganët janë gjithashtu të rrezikuar. Disa medikamente si kortizoni dhe barnat kundër epilepsisë ndikojnë në metabolizmin e vitaminës D. Të gjitha kategoritë e përmendura më sipër duhet ta matin nivelin e saj në gjak.
Si mund ta matim Vitaminën D?
Kjo realizohet shumë thjesht, nëpërmjet një analize gjaku ku kërkohet 25 OH Vitamina D. Në spitalin Hygeia kjo analizë ofrohet dhe i ftoj të gjithë të bëjnë një matje të saj. Interpretimi i rezultatit dhe mjekimi nëse do të jetë i nevojshëm bëhet nga mjeku reumatolog.
Cilat janë nivelet optimale të Vitaminës D në gjak?
Niveli minimal optimal i Vitaminës D në organizëm duhet të jetë 20 ng/mL. Nëse është më pak se 10 ng/dL kemi të bëjmë me mungesë të vitaminës D. Në rast se vitamina D është mbi 60 ng/dL mund të japë efekte anësore nga tejkalimi i dozës.
Cilat janë rekomandimet tuaja për t’u mbrojtur nga mungesa e vitaminës D?
Në radhë të parë do ftoja grupet në rrezik për ta matur nivelin e vitaminës D. Kjo është mënyra më e mirë për ta ditur nëse kemi mungesë apo jo. Për fëmijët me qumësht gjiri doza e rekomanduar është 400 UI /ditë deri në momentin që pinë qumësht formule të fortifikuar me këtë vitaminë. Sipas Shoqatës Amerikane të Pediatrisë (AAP), kjo dozë duhet të merret çdo ditë deri në moshën e adoleshencës nëse nuk merret me qumësht të fortifikuar ose me ushqim. Mbi të gjitha mbrojtja më e mirë është ekspozimi në diell. Personat që nuk ekspozohen në diell të paktën dy herë në javë për 5- 30 min midis orëve 10 të paradites dhe 3 të pasdites duhet të marrin suplemente me vitaminë D. Kujdes! Ekspozimi për më shumë kohë në diell na rrezikon për kancerin e lëkurës. Një dietë e pasur me vitaminë D është faktori i dytë mbrojtës. Ushqimet e pasura me këtë vitaminë janë merluci, qumështi dhe drithërat e fortifikuara me vitaminë D, peshku ton, peshku shpatë dhe salmoni, lëngu i portokallit, sardelet, mëlçitë e viçit dhe kërpudhat.
Ekspozimi në diell: Shqipëria është vend me diell dhe shumica e ditëve si dimër dhe verë janë me diell prandaj për të sintetizuar vitaminën D mjafton ekspozimi dy herë në javë qoftë dimër apo verë në intervalin kohor 10:00 paradite me 15:00 pasdite, por jo më shumë se 30 minuta pasi rritet rreziku për kancerin e lëkurës (pavarësisht stinës ekspozimi i zgjatur i pambrojtur në diell rrit rrezikun për kancer lëkure)
Sëmundjet reumatizmale që e kanë të domosdoshme marrjen e vitaminës D janë osteoporoza, artriti reumatoid, lupusi dhe spondiloartropatite. Pacientët me sëmundje reumatizmale shpesh në terapi marrin dhe kortizon. Kjo kategori duhet të marrë dhe vitaminë D nëse kortizoni jepet për një kohë të gjatë