Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Kujdes sinusitin: Kontrollet dhe mjekimi i duhur

$
0
0

Flet mjekia otorinolaringologe, Anjeza Kuçi: Rekomandoj mjekimin e sinusitit që herën e parë nga mjeku ORL, i cili duke bërë edhe ekzaminimin e hundës mund të përcaktojë edhe problemet shoqëruese, që mund ta rëndojnë 

Dhimbje koke, rëndesë në ballë, sekrecione të hundës, bllokim frymëmarrjeje nga hunda, janë të gjitha këto probleme që sinjalizojnë sinusit. Problemet shtohen më shumë veçanërisht me luhatjen e temperaturave dhe ndryshimin e stinëve, periudhë ku edhe gripi “riaktivizon” këto shqetësime. Në një intervistë për MAPO, dr. Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, shpjegon se sinusiti është një problem i cili prek që nga fëmijët e deri te moshat më të rritura, por kur nuk mjekohet mirë apo kura mjekësore nuk çohet deri në fund, atëherë sinusiti kryesisht akut, komplikon jetën e pacientëve dhe mund të ketë pasoja të rënda. Rreziku, sikurse shpjegon mjekja otorinolaringologe Kuçi, vjen për shkak të shtrirjes së procesit të infeksionit në strukturat afër, si: sytë, enët e gjakut, trurin, kockën, lëkurën. Për këtë mjekia apelon për kontrolle të menjëhershme pranë mjekut dhe vazhdimin e kurës deri në fund.

Çfarë është sinusiti dhe a ndikojnë periudha të veçanta në përkeqësimin e problemit?

Sinuset janë hapësira boshe në skeletin e kockave të fytyrës të vendosura përreth hundës që shërbejnë për të zvogëluar peshën e kafkës së kokës dhe nga ana tjetër edhe për të lagështuar ajrin që thithim. Në varësi të kockës në të cilën janë lokalizuar ekzistojnë 4 lloj sinusesh maxillar, frontal, sfenoidal dhe ethmoidal; sinuset maxillare vendosen poshtë syve, sinuset frontale sipër syve, sinuset ethmoidale midis syve dhe sinuset sfenoidale pas syve. Të gjitha sinuset e kanë portën dalëse të tyre në hundë dhe quhen ostiume, prandaj problemet e mosfunksionimit të mirë të hundës gjatë frymëmarrjes bëjnë që sekrecionet që prodhohen nga gjëndrat mukoze në brendësi të grumbullohen dhe të shfaqet sinusiti. Periudhat e ndryshme të gjendjeve virale që shoqërohen me sekrecione nazale, bllokim të frymëmarrjes nga hunda, dhimbje fyti dhe periudhat e riakutizimit të alergjive te personat alergjikë shoqërohen me shfaqje më të shpeshtë të sinusitit.

Cilat janë shenjat dhe si mund të diagnostikohet?

Sinusiti mund të ndahet në akut dhe kronik, viral dhe bakterial. Një sinusit akut fillon me bllokim hundësh, dhimbje koke, dhimbje dhe ose rëndesë në regjionin e projektimit të sinusit, skuqje e hundës, mollëzave apo kapakëve të syve, dhimbje e fytyrës ose presion kryesisht e njërës anë, ulje ose humbje e nuhatjes, kollë, dhimbje e nofullës së sipërme, sekrecione nazale të cilat janë më të shpeshta në mëngjes me ngjyrë të verdhë ose jeshile, temperaturë, bllokim veshësh e zhurmë në vesh, marrje mendsh dhe rëndesë në ballë në momentin e përkuljes përpara të kokës, mungesë e gjumit, lodhje gjatë ditës. Shenjat e një sinusiti kronik vijnë nga riakutizimi i një sinusiti akut të pamjekuar mirë dhe shoqërohen me dhimbje të herëpashershme në regjionin e projektimit të sinusit, sidomos pas një dite të lodhshme, sekrecione me erë dhe me shije të keqe, që mund të ndihen të rrjedhin në pjesën e pasme të hundës, ndjesinë e bllokimit të veshit. Diagnostikimi i një sinusiti akut bëhet me anë të rinoskopisë anteriore, pra ekzaminimit të hapësirës së përparme të hundës dhe nëse gjenden sekrecione me qelb aty, bëhet vendosja direkt e diagnozës së sinusitit. Nëse jo, bëhet ro grafi e sinuseve paranasale. Në rastin e sinusitit kronik indikohet bërja e një CT scan të sinuseve paranasale, sidomos në rastet kur sinusiti kronik shoqërohet edhe më polyposis nasi ose me prezencën e mishit të huaj në hundë.

Cila grupmoshë është më e rrezikuar për sinusitin?

Nuk ka një grupmoshë të caktuar që mund të predispozohet pasi problemet në frymëmarrje nga hunda mund të jenë si në moshat pediatrike, ashtu edhe në moshat më të rritura. Duke qenë se sinusi frontal fillon të zhvillohet pas moshës 2 vjeç, rritja bëhet më intensive në moshën 6 vjeç dhe rritet deri në adoleshencë, sinusiti frontal akut te fëmijët është më i rrallë. Më i shpeshtë ai është në pacientët me shtrembërim të perdes së hundës, me mish të huaj në hundë ose me polipoze nazale, në fëmijët me mish të huaj në nazofaring ose vegetatio adenoidaea, në pacientë me probleme alergjike në hundë në formën e rinitit alergjik etj.

A ndikojnë sëmundjet shoqëruese në përkeqësimin e sinusitit

Patjetër që patologjitë e tjera, sidomos problemet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe sidomos në kavitetin e hundës ndikojnë në përkeqësimin e sinusitit. Siç e thashë më sipër shtrembërimi i perdes ndarëse të hundës, hipertrophia apo zmadhimi i mishrave të brendshëm të hundës apo i konkave të hundës, problemet alergjike, si: rinitet alergjike, astma bronkiale, pacientët fëmijë me sindromën rino bronkial. Këta janë disa nga faktorët predispozues të shfaqjes së sinusitit si për herën e parë, ashtu edhe për riakutizimet e tjera.

Cili është apeli juaj për të mos neglizhuar trajtimin e sinusitit, cilat do të ishin pasojat?

Sinusiti, si term i dëgjuar në popullatë shoqërohet me ndjesinë e frikës për gravitetin e sëmundjes. Kjo për arsye se mosmjekimi i mirë në të kaluarën dhe komplikacionet e afërta të sinusitit akut komplikonin jetën e pacientëve dhe mund të çonin deri në vdekje. Kjo për shkak të shtrirjes së procesit inflamator në strukturat afër, si: sytë, enët e gjakut, trurin, kockën, lëkurën. Infeksioni i shtrirë në sy, që çrregullon pamjen dhe shtrihet në indet e syrit, si celuliti orbital, në gropën e syrit, si abces subperiostal, dhe duke u shtrirë më thellë në bllokim të vazave në formën e trombozës së sinusit kavernoz që mund të komplikojë jetën. Infeksioni mund të përhapet në tru dhe në lëngun cerebrospinal, mund të japë meningjit dhe abcese të trurit, mund të shtrihet në kockë dhe të japë osteomielit, mund të shtrihet në lëkurë e të japë celulit. Këto komplikacione me erën e re të antibiotikëve janë më të rrallë, por nëse shfaqen kërkojnë hospitalizim të menjëhershëm ose ndërhyrje kirurgjikale. Komplikacionet e largëta që i shqetësojnë pacientët janë kronicizimi dhe në raste të ndryshme edhe ulja ose humbja e nuhatjes, këto janë dy komplikacione që vijnë ose nga një mjekim joprofesional i sinusitit akut ose nga lënia në mes e mjekimit të dhënë nga mjeku specialist. Ndonjëherë pacientët shkojnë edhe në farmaci dhe marrin terapi të shkurtra, të cilat thjesht qetësojnë simptomat e momentit, por çojnë në kronicizim. Ulja e nuhatjes dhe ndonjëherë humbja e plotë e nuhatjes është një simptomë që mund të vijë edhe pas një gjendjeje virale, por shoqëron edhe sinusitin kronik  dhe duhet të na shqetësojë dhe duhet të paraqitemi menjëherë te mjeku se mund të jetë e përhershme dhe e parikthyeshme.

Atëherë cila është kura e duhur për trajtimin e sinusitit?

Mjekimi i sinusitit akut është më i rëndësishëm, sepse terapia shkon deri në 3 javë e shoqëruar me dekongjestionantë nazalë, mukolitikë, antihistaminike etj. Gjendja e përgjithshme fillon të përmirësohet nga fundi i javës së parë dhe këtu qëndron gabimi më i madh, se ndërpritet mjekimi nga pacientët. Ndonjëherë gabimin e bëjnë edhe farmacistët kur i thonë pacientit se mjeku të ka dhënë shumë antibiotikë dhe nuk e marrin të plotë terapinë. Ky është gabimi më i madh që mund të bëjë pacienti që çon në kronicizim. Çdo vit në epidemitë e gripit riakutizohet sinusiti dhe mbivendosen pothuaj të njëjtat shenja, dhimbje koke, rëndesë në ballë, sekrecione që rrjedhin pas hundës, bllokim hundesh etj. Prandaj rekomandoj mjekimin e sinusitit që herën e parë nga mjeku ORL, i cili duke bërë edhe ekzaminimin e hundës mund të përcaktojë edhe problemet shoqëruese, që mund ta rëndojnë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles