Pacientëve që pësojnë ishemi cerebrale dhe që paraqiten në urgjencë që kur fillon mpirja e duarve, krahut, fytyrës apo shenja të tjera mund t’iu shpëtohet jeta, madje edhe të shpëtojnë nga paraliza falë një medikamenti të ri të kushtueshëm që ka vetëm një muaj që ka hyrë në Shqipëri dhe që ofrohet falas
Në momentin e parë që një njeri ndjen dhembje koke, mpirje të gjysmës së trupit, ndjen vështirësi në të folur, rëndim të njërës këmbë dhe të njërës dorë duhet detyrimisht të paraqitet në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ose në Urgjencën e Tiranës. Janë këto sinjalet e para që tregojnë se jeni në prag të kalimit të një ishemie cerebrale- goditje në tru. Sakaq këtyre të sëmurëve mund t’u shpëtohet jeta, madje edhe të shpëtojnë nga paraliza falë një medikamenti të ri të kushtueshëm që ka vetëm një muaj që ka hyrë në Shqipëri dhe që ofrohet falas. Në një intervistë për “Mapo” prof. dr. Mira Rakacolli, shefe e shërbimit Neurovaskular në “QSU”, Tiranë thotë se edhe vendi ynë ka shënuar suksese në trajtimin e ishemive cerebrale, kjo falë përdorimit të një medikamenti që shkrin trombin dhe e heq atë, por sa i takon kësaj të dytës, mjekja shpjegon se heqja e trombit duhet të jenë në vende të arritshme që të mund të hiqet. “Ardhja brenda katër orë e gjysmë nga fillimi i sëmundjes, kryhet skaneri, interpretohet, vendoset diagnoza e ishemisë cerebrale dhe jo hemorragjisë cerebrale, atëherë përdorimi i këtij medikamenti arrin të shkrijë trombin dhe përmirëson qarkullimin e gjakut. Gjëja tjetër që bëhet për këta të sëmurë është që, në qoftë se zbulohet me ekzaminimin që bëhet me angioskanografi, zbulohet trombi dhe në qoftë se është në disa vende të arritshme mundet që ai tromb të hiqet. Në disa zona duhet të kapet brenda 6 orësh, në disa zona koha pret edhe më tepër. Ne kemi bërë heqje të trombëve prej kohësh” -thotë neurologia Rakacolli. Sipas doktoreshës edhe pse sëmundjet cerebrovaskulare shfaqen në mënyrë drastike, ndër shkaqet kryesore të fillimit të tyre janë mostrajtimi i disa sëmundjeve, ushqyerja, stili i jetës dhe stresi.
Pak ditë më parë u mblodh Kongresi i Parë i Neuroshkencave, cilat janë risitë që solli ky kongres?
Ky kongres kishte si qëllim sëmundjet neurologjike që janë një sfidë sot për të gjithë komunitetin njerëzor. Sëmundjet neurologjike përmbledhin disa nënspecialitete, Neuorologji, Nerokirurgji, Psikiatri. Pra, qëllimi i këtij kongresi ishte të ndodhte një si bashkërendim në atë që quhet Neuroshkencë. Meqenëse flasim gjithmonë për integrim dhe në kuadër të hapjes së kufijve, dhe hapjes së mundësive të marrëdhënieve të ndërsjella në zonat shqipfolëse, menduam që këtë kongres të mos e bënim vetëm për neuroshkencat në Shqipëri, por ta bënim për neuroshkencat në të gjitha zonat shqipfolëse sepse për hir të së vërtetës tek ne referohen edhe shumë pacientë edhe të referuar edhe nga Kosova, edhe nga Maqedonia. Neurokirurgjia është bërë pikë referimi, sepse shumica e ndërhyrjeve neurokirurgjikale bëhen në Shqipëri.
Cilat janë problematikat që u evidentuan?
Si kongres i parë ishte për të ndarë informacion dhe për t’u njohur mirë për njëri-tjetrin, gjithashtu edhe për të vendosur bazat organizative. Kështu që në këtë Kongres u diskutuan sëmundje të ndryshme; si janë të shfaqura në Shqipëri; si janë të shfaqura në Maqedoni; si janë të shfaqura në Kosovë. Kështu që krijuam një panoramë për të krijuar edhe ide për trajtimin e tyre. Shkëmbyem ide për projekte të përbashkëta apo sfidash dhe nisma që ne mendojmë t’i zhvillojmë në të ardhmen.
Po sa iu përket protokolleve të mjekimit, si qëndrojnë neuroshkencat shqiptare në raport me ato europiane dhe botërore?
Është një konsensus i madh neurologësh në rang botëror për të vendosur një protokoll diagnostikues dhe një protokoll mjekues. Zbatimi i këtij protokolli ka të bëjë edhe me kushtet në të cilat ndodhet vendi, në të cilat mendohet për t’u zbatuar. Sepse një protokoll tjetër bëhet në Amerikë, një protokoll tjetër bëhet në Shqipëri. Protokolli është thjesht një kornizë sepse nuk është diçka që bëhet detyrimisht sepse çdo njeri ka mënyrën e vet se si zhvillohet sëmundja. Mjekimi sot kudo në botë po shkon drejt personalizimit.
Sa i përket sëmundjeve neurologjike janë të shumta, por për sa iu përket ishemive cerebrale pse janë më problematiket?
Sëmundjet cerebrovaskulare në përgjithësi, që janë ishemitë dhe hemorragjitë e trurit janë më problematiket sot. Në botë në vdekshmërinë totale këto sëmundje zënë vendin e pestë, në Shqipëri zënë vendin e tretë. Por për sa i përket invaliditetit qoftë në botë, qoftë në Shqipëri zënë vendin e parë. Pra, edhe në botë në qoftë se ka zbritur në vendin e pestë dhe do thotë që është shpëtuar jeta, invaliditeti ka mbetur njësoj, vazhdon të mbetet në vendin e parë. Në Shqipëri vdekshmëria është në vendin e tretë, ndërsa invaliditeti është në vendin e parë. Sëmundjet cerebrovaskulare janë shumë problematike, janë sfida e përditshme e jona, është përballja me urgjencën.
Cilat janë arsyet që kjo sëmundje është kaq problematike? Është sëmundje e heshtur, nuk ka shenja?
Sëmundjet cerebrovaskulare shfaqen në një mënyrë tepër drastike. Sëmundjet cerebrovaskulare, do të thotë që zhvillohet një deficit neurologjik-që mund të jetë një paralizë, mund të jetë një humbje vetëdije, gjendje kome, vështirësi në të folur, vështirësi deri në humbjen e ekuilibrit, në mënyrë të menjëhershme ditën ose natën. Këto mund të ndodhin në mes të punës, në mes të pushimit, në mes të drekës, në mes të darkës, në mes të një argëtimi ku i sëmuri në mënyrë të papritur pëson një deficit neurologjik, mund të bjerë edhe në gjendje kome. Kjo nuk vjen përnjëherësh, ndodh për shkak të një problemi shëndetësor të patrajtuar ose nuk është trajtuar si duhet. E para, tregon se ka një vuajtje të enëve të gjakut, enët e gjakut të trurit janë të dëmtuara, ose në rastin e hemorragjisë mund të kesh lindur me një enë gjaku jonormale dhe ajo plas. Mund të mos kesh trajtuar si duhet tensionin, në këtë rast ena e gjakut plas ose bllokohet. Mund të mos kesh trajtuar si duhet diabetin sepse dihet që diabeti dëmton enët e gjakut dhe enët e gjakut bëhen më “fragile” dhe mund të bllokohen më kollaj se te çdo i sëmurë tjetër. Nuk ke trajtuar si duhet zemrën, sepse edhe çrregullimet e ritmit të zemrës mund të japin probleme, bllokim të menjëhershëm të enëve të gjakut. Po kështu edhe në rast se nuk ke trajtuar si duhet yndyrat. Pra, shfaqja e kësaj tregon se enët e gjakut janë të dëmtuara nga një mori faktorësh. Prandaj themi se gjëja më e mirë është parandalimi, trajtimi si duhet i tensionit, trajtimi i diabetit, trajtimi i yndyrave, trajtimi i zemrës, pra trajtimi i të gjithë faktorëve.
Deri tani iu jeni referuar vetëm faktorëve të brendshëm, po sa iu përket faktorëve të jashtëm sikurse janë stresi, stili i jetesës, lodhja?
Sigurisht stili i jetesës ka të bëjë me diabetin, ka të bëjë me yndyrat, ka të bëjë me hipertensionin. Stresi dhe gjithë faktorët e tjerë ndikojnë te këto sëmundje, ndikon te diabeti, hipertensioni. Pasi dihet që për llogari të stresit rritet tensioni dhe nga rritja e tensionit mund të çahet ena e gjakut. Por nuk mund të ndodhë që stresi të jetë shkaktari i vetëm, ndërkohë që në trup nuk ke asnjë problem të enëve të gjakut.
Cilat kategori janë më të rrezikuarat, lidhet kjo me moshën e personave? Po për sa i përket gjinisë, janë më të rrezikuar meshkujt apo femrat?
Enët e gjakut dëmtohen me kalimin e moshës, me përjashtim të rasteve kur bazë e këtyre sëmundjeve janë ato anomalitë e lindura të enëve të gjakut. Në raste të tjera sigurisht që me kalimin e moshës shtohet. Por ajo çka vëmë re fatkeqësisht janë shtimi i rasteve te të rinjtë. Fatkeqësisht kjo ka ardhur si shkak i përdorimit të drogës, sigurisht edhe hashashi. Sepse ne kemi pasur disa raste, edhe 20-vjeçarësh, edhe 30-vjeçarësh që kanë ardhur me bllokim të enëve të gjakut nga hashashi, jo nga droga të tjera. Ky është problem i ri që ne po vëmë re në shërbimin e Neurologjisë. Duhani dëmton më shumë enët e gjakut, këta persona janë edhe më të rrezikuarit. Ka një lloj predispozicioni ashtu si në gjithë botën që nga kjo sëmundje vuajnë meshkujt. Kjo sepse te femrat hormonet femërore deri në moshën e menopauzës kanë një lloj efekti mbrojtës mbi enët e gjakut. Mendohet se edhe kjo luan rol te prekja më shumë e meshkujve se sa e femrave. Ndërsa me shtimin e jetëgjatësisë të dy gjinitë rrezikohen njësoj, pasi është shtuar duhanpirja edhe te femrat.
Së fundmi është hapur shërbimi Neurovaskular?
Për shkak të problemeve që shkakton sëmundja e enëve të gjakut të trurit, ka një sensibilizim për sa i përket këtij projekti dhe ka një vullnet për ta përmirësuar më tutje këtë shërbim për problemet që ky shkakton. Për sa i përket trajtimit të këtij problemi në botë sot shënohen dy arritje të reja; është aprovuar një medikament i cili në qoftë se vendoset diagnoza e ishemisë cerebrale dhe jo hemorragjisë cerebrale brenda katër orë e gjysmë të fillimit të sëmundjes atëherë përdorimi i këtij medikamenti arrin të shkrijë trombin dhe përmirëson qarkullimin e gjakut. I sëmuri nga një i sëmurë i paralizuar arrin e çohet dhe brenda 24 orëve mund të shkojë në shtëpi me këmbët e veta. Ky medikament është i shtrenjtë por ofrohet vetëm në shërbimin spitalor, dhe ofrohet falas. Pozitiv është fakti i krijimit të zinxhirit për vendosjen sa më të shpejtë të diagnozës. E rëndësishme pas shfaqjes së problemeve është ardhja sa më shpejt në urgjencë, kryhet skaneri, interpretohet, është ngritur niveli i neurologëve për të vlerësuar më së miri gjendjen e pacientit. Gjëja tjetër që bëhet për këta të sëmurë është që, në qoftë se zbulohet me ekzaminimin që bëhet me angiografi, zbulohet trombi dhe në qoftë se është në disa vende të arritshme mundet që ai tromb të hiqet. Në disa zona duhet të kapet brenda 6 orësh, në disa zona koha pret edhe më tepër. Ne kemi bërë heqje të trombëve prej kohësh. Ekipi e ka provuar dhe është në gjendje që të bëjë heqjen e trombit dhe ka ndodhur që i sëmuri të jetë në gjendje kome, që s’ka pasur asnjë shans për jetën dhe pas 24 orësh është zgjuar dhe ka shkuar në shtëpi.