Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Tumori i gjirit te gratë, kontrollet që e zbulojnë

$
0
0

Një femër nuk duhet të ketë frikë të përballet me këtë sëmundje, sidomos nëse është në fazat fillestare. Kjo femër ka shumë mundësi të vazhdojë jetën normale, duke u ndjekur nga mjeku. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun dhe të shkojnë tek ai në grada të avancuara të sëmundjes 

Kanceri i gjirit është një tumor malinj i përbërë nga qeliza onkologjike-neoplazike, të cilat kanë tendencën për t’u shumuar në mënyrë të pakontrolluar lokalisht dhe në distancë. Duhet patur shumë kujdes që në diagnostikimin e parë, për të parë drejtimin e tyre. Tumori malinj i gjirit është ndër tumorët më të studiuar dhe më të trajtuar. Gjiri është organ që ndryshon gjatë gjithë jetës së femrës, duke qenë në ndikim të drejtpërdrejtë nga hormonet. Një femër nuk duhet të ketë frikë të përballet me këtë sëmundje, sidomos nëse është në fazat fillestare. Kjo femër ka shumë mundësi të vazhdojë jetën normale, duke u ndjekur nga mjeku. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun dhe të shkojnë tek ai në grada të avancuara të sëmundjes.

Faktorët

Gjatë viteve të fundit është parë një trend rritës i pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje, me rreth 550 raste të reja në vit. Statistikat nuk janë të sakta, pasi pacientët nuk vijnë vetëm në spitalin tonë për trajtim, por kurohen edhe në klinika private apo jashtë vendit. Prof. as. Helidon Nina, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin Onkologjik në QSUT gjithashtu shpjegon se gjatë viteve të fundit, vihet re tendenca në rritje e moshave të reja të diagnostikuara me tumor malinj të gjirit, për shembull femra të moshës 22 vjeç. Një nga shkaktarët e kësaj sëmundjeje është ndryshimi i stilit të jetesës. Sot jemi më të ekspozuar ndaj rrezatimeve, ndotjes. Gjithashtu, femrat lindin fëmijë në mosha më të mëdha; mund të kenë ndryshime në ciklin menstrual, pra shfaqje të vonshme të tij; ka ndryshim të ushqimeve që konsumojmë etj. Njerëzit sot bëjnë një jetë më shumë sedentare, me pak aktivitet fizik. Është rritur konsumimi i alkoolit dhe duhanit. Të gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në mënyrë indirekte në shfaqjen e tumorit malinj të gjirit. Ka dhe faktorë të tjerë, siç është të qenit femër, pasi tumori malinj i gjirit kap kryesisht femrat, një përqindje shumë e ulët janë meshkuj, rreth 2% e rasteve. Faktor të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë; një shtatzëni e vonshme, marrja e kontraceptivëve oral. Vlerë të veçantë në faktorët që ndikojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje është edhe trashëgimia. Të gjitha qendrat mjekësore duhet të kenë gjenetistët e tyre, që të bëjnë analizë të rasteve kur një femër ka një histori familjare të tumorit malinj të gjirit, pra duhet parë nëse është nevoja për bërjen e testeve genetike BRCA1 dhe BRCA2. Nëse këto teste dalin pozitiv, kjo femër ka një risk të lartë që gjatë jetës së vet të zhvillojë një tumor malinj gjiri. Aktualisht në vendin tonë bëhen konsultat me mjekët gjenetist, për zhvillimin e testeve gjenetike por testet bëhen jashtë. Testet gjenetike janë të nevojshme, por nuk duhet të abuzohet me to. Ato duhen patjetër të rekomandohen nga mjeku specialist gjenetist.

Diagnoza

Si fillim, merret informacion nga pacienti rreth historive të mundshme familjare, ecurisë së ciklit menstrual, marrjes apo jo të kontraceptivëve, lindjeve, aborteve dhe laktacionit. Të gjitha këto japin informacion rreth problemit që mund të ketë pacienti. Pas vizitës klinike vazhdohet me vizitat diagnostike-imazherike. Ekzaminimi i parë është eko e gjirit, kryesisht për moshat para 35 vjeç apo 40 vjeç nëse nuk ka pasur histori familjare dhe më pas vazhdohet me mamografinë. Si eko e gjirit ashtu edhe mamografia janë komplementare për të diagnostikuar një tumor malinj të gjirit. Përveç këtyre kemi edhe ekzaminime të tjera shtesë, si Elastografia, e cila është një eko më e avancuar, ku sonda ka sensor për të lokalizuar vaskularizimin e zonës apo ngurtësimin dhe për të përcaktuar nëse jemi brenda parametrave normalë apo jo. Përveç Elastografisë është edhe Rezonanca Magnetike e gjirit (MRI), e cila aplikohet kryesisht te personat në gjirin e të cilëve dominon indi granular dhe mamografia nuk është shumë sensitive ndaj tij, pra nevojitet realizimi i rezonancës. Gjithashtu, rezonanca përdoret edhe në rastet e pacientëve që kanë bërë kirurgji të mëparshme të gjirit, duke dhënë më shumë informacion. Me realizimin e pjesës imazherike, pacienti kthehet te mjeku kirurg që e ndjek, që quhet mastolog apo senolog dhe mjeku sipas informacioneve imazherike vendos për vazhdimësinë e pacientit. Në vazhdim mund të bëhet citologjia nën eko, marrje e materialit me procedurë jokirurgjikale që realizohet në kabinetin e imazherisë, nëpërmjet marrjes së qelizave me anën e një ageje të vogël ose me age pistolet, e cila nuk merr qeliza por merr inde. Citologjia është shumë e nevojshme për të bërë një diagnozë përpara se sa të bëhet një trajtim i mëtejshëm i pacientit.

Së bashku me këto të dhëna kemi dhe informacionin mbi markusit tumoral dhe stadifikimin e pacientit pra plotësohet informacioni me eko aksilare (që është bërë që në fillim) eko qafe, barku; grafi mushkërish. Në rastet kur markusit tumoral Ca15-3 dhe CEA dalin të lartë, mund të jetë e nevojshme edhe bërja e shintigrafisë kockore apo skaner i të gjithë trupit. Me marrjen e gjithë këtij informacioni stafi kirurgjikal vlerëson rastin dhe nëse ai ka ndonjë veçori, shfaqet si rast para një stafi më të përgjithshëm ku vendimmarrja duhet të jetë multidisiplinare. Kjo do të thotë që në prezencën e këtij stafi është i nevojshëm jo vetëm kirurgu por edhe imazheristi, kimioterapeuti, radioterapeuti, infermieri, psikologu. Stafi multidisiplinar i ka të gjithë aktorët e nevojshëm. Ky staf i bashkohet kirurgjisë, ku në varësi të përmasave të tumorit mund të kryhet kirurgji radikale (heqje totale e gjirit) ose kirurgji konservative (heqje vetëm e masës tumorale). Pas mbarimit të kirurgjisë dhe realizimit të biopsisë definitive përcaktohet saktësisht informacioni rreth tipit, gradës së tumorit, sasisë së limfonodujve të prekur, indeksit të shumimit të qelizave tumorale malinje etj. Pasi kemi marrë të gjithë këtë informacion, organizohet sërish stafi multidisiplinar dhe vendoset mjekimi që do ndjekë ky pacient; me kimioterapi, radioterapi të cilat mund të realizohen të dyja në të njëjtin moment; në momente të ndryshme, apo mund të jetë nevoja vetëm për realizimin e njërës, në varësi të rastit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles