Rënia e dëgjimit e lidhur me zhurmat përbën sot një problem gjithnjë e më shumë në rritje. Ajo vjen si rezultat i ekspozimit të vazhdueshëm të veshëve tanë ndaj zhurmave të mëdha mbi 85 decibel
Jetojmë në një ambient të zhurmshëm, me ndotje të fuqishme akustike mesatarisht 70 decibel ndërkohë që normat e lejuara nga Bashkimi Europian shkojnë në 55 decibel. Mes zhurmave të makinave në trafik, zhurmave të ndërtimit, të bërtiturave të njerëzve në rrugë, muzikës me zë të lartë, njerëzve që punojnë në industri të rëndë apo të rinjve që punojnë në call center, ekspozimi kundrejt zhurmave dhe i vazhdueshëm është armiku kryesor për rënien deri në humbjen e dëgjimit. Jo vetëm kaq, por dëgjimi ynë rrezikohet në çdo moment dhe çdo ditë, ndaj dhe mbrojtja e tij bëhet një detyrë kryesore. Mirëpo jo vetëm faktorët e jashtëm mund të dëmtojnë dëgjimin, doktoresha Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo”, shpjegon se rënia e dëgjimit ka një sërë shkaqesh që lidhen edhe me disa sëmundje të lindura dhe të tjera që fitohen gjatë jetës, kryesisht të moshuarit, siç janë sëmundjet e shtyllës kurrizore, diabeti, hipertensioni etj., apo edhe te të rinjtë, veçanërisht mbajtja për një kohë të gjatë e kufjeve e cila sjell dëmtim të lehtë deri të mesëm të nervit të dëgjimit. Për këtë arsye, mjekja ORL Kuçi, shpjegon shenjat se si mund të hetojmë rënien e dëgjimit, cilat janë shkaqet që dëmtojnë më së shumti të dëgjuarit dhe metodat më të fundit të trajtimit dhe mbrojtjes së dëgjimit.
Cilat janë shkaqet për rënien deri në humbjen e dëgjimit?
Rënia e dëgjimit është sot një nga shqetësimet më të mëdha në të gjithë botën e cila shoqërohet me çrregullime të tjera të sferës depresive, izolim social, performancë e dobët në punë etj. Sipas Institutit Kombëtar Amerikan të Shurdhësisë dhe Çrregullimeve të Komunikimit, 15 % e të rriturve në moshën mbi 18 vjeç kanë probleme me dëgjimin, tek adultët 64-75 vjeç rreth 25% dhe rreth 50% e të rriturve në moshën mbi 70 vjeç. Të bebet e sapolindura në SHBA 2-3 bebe në 1000 lindje zbulohet rënie e lindur e dëgjimit në të paktën njërin nga veshët. Rreth 37.5 milionë amerikanë vuajnë nga një rënie e konsiderueshme e dëgjimit duke e bërë një nga shqetësimet më të shpeshta shëndetësore me të cilën njerëzit përballen. Për lehtësi studimi veshin e ndajmë në 3 kompartimente ose 3 pjesë: veshi i jashtëm, i mesëm dhe i brendshëm. Shkaqet e rënies së dëgjimit mund të jenë të trashëguara, ku futen ato konduktive, pra me probleme të veshit të mesëm, pra të zgavrës timpanike ku futet daullja e veshit dhe kockat e vogla të dëgjimit, neurosensoriale apo probleme të nervit të dëgjimit dhe mikse, ku gërshetohen të dyja. Ekzistojnë rreth 400 sindroma të lindura që lidhen me rënien e lindur të dëgjimit, shkaqe virale që mund t’i kalojë nëna gjatë shtatzënisë por edhe bebi në lindje. Në grupin e dytë të shkaqeve futen rënia e dëgjimit nga mosha e cila ka të bëjë me dëmtimin e nervit të dëgjimit dhe ndryshimet në veshin e brendshëm dhe mund të përforcohet te pacientët e breznisë së tretë që kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese sistemike; si hipertensioni, diabeti, dislipidemitë, problemet cervikale të shtyllës kurrizore etj. Në grupin e tretë të shkaqeve futen rëniet e dëgjimit të induktuara nga zhurma e lartë, ku futen profesionet që punojnë me zhurmë, ndotja dhe traumat akustike. Në sëmundjet që shoqërohen me rënien e dëgjimit janë otoscloroza, otitet media chronike, sëmundja e veshit të brendshëm ose e Menierit, sëmundjet autoimune etj. Një grup të rëndësishëm zënë edhe përdorimi i antibiotikëve si aminoglukozidet, aspirina dhe AIJS dhe kemiopreparatet. Shkak tjetër janë traumat e kokës apo tumoret si neurinoma akustike etj. Në rastin e dëmtimit të nervit të dëgjimit të lidhur me moshën ose me profesionin me shumë zhurmë, dëmtimet janë graduale dhe kronike dhe mund të duhen vite deri sa të zbulohet ky dëmtim, pasi veshi adaptohet dhe mësohet me atë ulje dëgjimi, ndërkohë që sëmundje si Menieri apo e veshit të brendshëm apo traumat akustike si plasja e fishekzjarrëve apo të qëlluarit me armë pa kufje japin dëmtime të menjëhershme, të rënda të nervit të dëgjimit deri në shurdhësi të plotë.
Cilat profesione na rrezikojnë rënien e dëgjimit? A ndikon përdorimi për një kohë të gjatë i kufjeve?
Rënia e dëgjimit e lidhur me zhurmat po përbën sot një problem gjithnjë e më shumë në rritje. Ajo vjen si rezultat i ekspozimit të vazhdueshëm të veshëve tanë ndaj zhurmave të mëdha mbi 85 db. Kulmimi i ekspozimit konstant ndaj zhurmave të përditshme si ato të trafikut, punës në ndërtim, ambienteve të zhurmshme të zyrave, punës në industrinë e rëndë, si në fabrika të përpunimit të drurit, të prodhimit të këpucëve, tek ushtarakët apo ushtarët që përdorin armët apo që kryejnë qitje pa përdorur kufjet mbrojtëse etj., apo muzika e lartë ndikojnë në dëgjimin tonë. Si rezultat i një zhurme të madhe dëmtimi i nervit të dëgjimit është i përkohshëm, mund t’i duhet 24-48 orë kohë gjatë së cilës mund të kemi një zhurmë shqetësuese në vesh, por nëse ky ekspozim është i vazhdueshëm ne nuk arrijmë t’i japim kohë nervit të dëgjimit për rikuperim midis dy ekspozimeve. Flasim këtu për të rinjtë që preferojnë të dëgjojnë muzikë me volum të lartë nga telefoni, radio, stereo me kufjeve, pa e kuptuar, se për të arritur të njëjtën sasi adrenaline që na jep kënaqësia e të dëgjuarit muzikë me zë të lartë e ngremë pak nga pak përditë volumin. Sigurisht, që përdorimi për një kohë të gjatë i kufjeve apo ekspozimi i vazhdueshëm ndaj muzikës me zë të lartë nëpër koncerte apo edhe frekuentimi i ambienteve të natës ku volumi i muzikës dhe zhurmës kalon 100 db bën që dëmtimi i qelizave në veshin e brendshëm apo në nervin e dëgjimit të jetë e vazhdueshme dhe më pas e qëndrueshme. Te ne vijnë pacientë të rinj edhe pas 3 muajsh përdorimi të kufjeve, me probleme në dëgjim, që në audiogramë apo në testin sasior e cilësor të dëgjimit të rezultojë me dëmtim të lehtë deri të mesëm të nervit të dëgjimit.
Çfarë këshillohet sot, cilat janë trajtimet e duhura dhe në cilat raste rekomandohet vendosja e një aparati dëgjimi?
Të japësh këshilla për masat mbrojtëse për dëgjimin tonë është një detyrë që një mjek ORL duhet ta ketë shumë për zemër. Të mundohemi sa më shumë të ulim ekspozimin tonë në ambientet e zhurmshme duke përdorur tapat e veshit në rastin e një kontakti të afërt, të qëndrojmë sa më larg aparateve që prodhojnë muzikë me volum të larte në një ambient të mbyllur, gjatë përdorimit të kufjeve kur dëgjojmë muzikë të mos ta kalojmë nivelin mesatar të volumit të zërit. Në ambientet e punës me zhurmë, nëpër fabrika, uzina, në ndërtim nëse nuk na duhet të komunikojmë dhe bëjmë punë individuale të përdorim tapat e veshit, nëse na duhet të komunikojmë të përdorim tapa veshi me vrima që minimizojnë zhurmën. Në rastin e atyre që kryejnë qitje apo ushtarakëve që përdorin armët gjithmonë të përdorin kufjet mbrojtëse gjatë manovrave dhe të mos neglizhojnë asnjë seancë të vetme pa to. Në rastin kur dëmtimi është i menjëhershëm nga një zhurmë e fuqishme si një plasje fishekzjarri, shkrepja e një arme afër veshit, një zhurmë e madhe që vazhdon pas frekuentimit të një ambienti me muzikë me zë të lartë edhe pas disa ditësh, pacienti duhet të paraqitet te mjeku ORL ku pas bërjes së një audiograme dhe shkallës së dëmtimit të dëgjimit një terapi e menjëhershme me kortizonikë, vazodilatatore, vitaminoterapi etj, do të çonte në rikuperim të konsiderueshëm deri të plotë në të kundërt çdo orë që kalon është në dëm të dëgjimit tonë dhe pas disa javësh pasojat janë të parikthyeshme. Pacientë të tillë mund të shkojnë deri në vendosjen e protezave akustike apo aparateve të dëgjimit. Për të vendosur një aparat dëgjimi apo një protezë akustike ka disa kritere; në rastin e dëmtimit të rëndë deri në të thellë të nervit të dëgjimit nga mosha ku mund të duhen për të dy veshët, në rastin e traumave akustike të cilat vijnë shumë vonë te mjeku dhe ku dëmtimi është i parikthyeshëm dhe i thellë, në rastin e të rinjve me shurdhësi të lindura, dëmtimit të nervit në fëmijëri gjatë gjendjeve virale, gjendjeve hipertermike, në otosclerosis kur nuk bëhet ndërhyrja kirurgjikale etj.
Cilat aparate rekomandohen të vendosen dhe llojet e tyre?
Pjesa më e madhe e rasteve kur rekomandojmë vendosjen e protezave akustike janë dëmtimet e nervit të dëgjimit nga mosha, traumat akustike të hershme, puna me zhurmë për një kohë të gjatë e cila ka dhënë dëmtime të pari kthyeshme, pacientët diabetikë prej vitesh me dëmtime të të dy nervave të dëgjimit, por kemi edhe të rinj, edhe fëmijë të cilëve iu rekomandojmë. Kemi të bëjmë me çrregullim të dëgjimit përgjithësisht në tonet e larta që e testojmë përmes audiogramës, pra matjes sasiore dhe cilësore të dëgjimit. Shenjat klinike janë: të dëgjuarit e radios apo tv me volum të lartë, vështirësi në të kuptuarin e bisedës veçanërisht në ambiente me zhurmë, ndjesia sikur në një bashkëbisedim tjetri është duke murmuritur dhe jo duke folur normal, vështirësi e të dëgjuarit në telefon, shpesh i kërkojnë të tjerëve të përsërisin bisedat, vetizolim nga jeta sociale, zhurmë apo të dëgjuarit e tingujve të çuditshëm në vesh. Pacientët me dëmtim të frekuencave të larta përgjithësisht nuk dëgjojnë: zërin e një femre apo të një fëmije, disa bashkëtingëllore si s, sh, f, v, th, p duke e bërë më të vështirë të kuptuarit e një bisede, sinjalin e kthimit të makinës, sinjalin në formën e bëp-eve në alarme apo zhurmën e mikrovalës, cicërimat e zogjve. Aparatet e sotme të dëgjimit janë digjitale dhe përbëhen nga një mikrofon, që mbledh tingullin, një çip kompjuterik që amplifikon dhe proceson tingullin, një folës që dërgon sinjalin në vesh dhe një bateri. Këto pjese janë “truri” i një aparati dëgjimi dhe janë të vendosura në tipe të ndryshme të aparateve të dëgjimit. Tipet e aparateve të dëgjimit; janë të padukshme ne kanalin e jashtëm dhe plotësisht të futura në kanalin e jashtëm: IIC dhe CIC janë më të voglat, mbulojnë rënie të mesme deri të moderuara dhe janë shumë komode për pacientë diskretë dhe që nuk duan të ekspozojnë protezën akustike; pas veshit që përbëjnë një grup të madh dhe me nënndarje, që variojnë nga madhësi më të vogla e deri më të mëdha, përbëhen nga trupi i aparatit, pjesa e silikonit që vendoset në kanal pas marrjes së masës së veshit dhe një tub i hollë silikoni që i lidh këto të dyja. Këto lloj tipe aparatesh mbulojnë rëniet e mëdha të dëgjimit dhe vendosen në moshat më të mëdha. Të rejat e fundit të teknologjisë kanë përfshirë edhe aparatet e dëgjimit, duke i bërë ato më modernë, jo vetëm në forme dhe në dizajn por edhe në funksion. Ato kanë ëireless, mund të lidhen me aparatura të jashtme si MP3, TV, radio, stereo, telefona celularë me teknologjinë bluetooth.
Në rastin e uljes së dëgjimit te të rinjtë, a këshillohet vendosja e aparatit të dëgjimit dhe si t’ua mbushim mendjen?
Në Shqipëri ne hasim përditë vështirësi në mposhtjen e mentalitetit të pacientëve tanë, sidomos të breznisë së tretë apo moshave mbi 50 vjeç, se të vendosësh një aparat nuk të bën të dukesh më i vjetër në moshë. Ata nuk e kanë problem të mbajnë syze, por kur mjeku ORL këshillon aparatin hezitimi është i dukshëm. Në moshat e reja ky problem është edhe më i thellë. Në një fëmijë me rënie të lindur të dëgjimit që zbulohet menjëherë përmes otoemisioneve akustike kemi vonesë në të folur dhe në zhvillimin gjuhësor, mosreagim ndaj zhurmave të mëdha, performancë të ulët në shkollë, probleme të sjelljes etj. Pas testeve të bëra për të vendosur një diagnozë të saktë rekomandojmë vendosjen e protezave akustike dhe për rënie të rëndë deri në shurdhësi të plotë vendosjen e implantit koklear, që është një pajisje e vendosur në veshin e brendshëm në rrugë kirurgjikale për të stimuluar nervin e dëgjimit. Pacientët e rinj që e zbulojnë në mënyrë rastësore dëmtimin e nervit të dëgjimit për arsye të akomodimit me atë nivel dëgjimi, rekomandojmë vendosjen e menjëhershme të aparatit të dëgjimit për ta mbajtur në tonus nervin e dëgjimit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientit. Situata është e vështirë kur rekomandohen dy aparate, kur pacienti i do brenda në kanal por ato nuk arrijnë të mbulojnë atë rënie dëgjimi e nga ana tjetër qëndron kostoja e aparatit që mund të shkojë nga 400 euro, deri në 2000 apo edhe 5000 euro, në varësi të cilësisë, formës, pastërtisë së zërit etj. Nuk rekomandojmë blerjen e aparateve të dëgjimit në rrugë, nëpër farmaci apo edhe të porositur jashtë pa bërë testet e duhura minimalisht një audiogramë. Aparati i dëgjimit blihet aty ku jeton sepse ka nevojë për servis, volumi i zërit të tij ngrihet gradualisht dhe kjo bëhet në mënyrë digjitale pranë kompanisë ku e blen. Nëse blihet jashtë këtyre kushteve ai mund të amplifikojë vetëm zhurmë dhe është për t’u hedhur. Jetëgjatësia shkon deri në 8 vjet.
Pse nuk duhen neglizhuar problemet me dëgjimin?
Jetojmë në një ambient të zhurmshëm me ndotje të fuqishme akustike mesatarisht 70 db, ku normat e lejuara nga BE shkojnë ne 55 db, mes zhurmave të makinave në trafik, zhurmave të ndërtimit, të bërtiturave të njerëzve në rrugë, muzikës me zë të lartë etj., të cilat ndonjëherë i ndiejmë edhe gjatë natës dhe na shkaktojnë stres i cili akumulohet përditë. Për njerëzit që punojnë me zhurma në industri apo ata që përdorin armët në profesion apo jo, do të rekomandoj mbrojtjen maksimale të dëgjimit me anë të kufjeve, edhe një episod i vetëm i një zhurme të fuqishme mund të jetë i rrezikshëm për dëgjimin tonë. Kujdes të rinjve që punojnë në call center, të mos qëndrojnë në kohën e pushimit brenda ambienteve të zhurmshme dhe të bëjnë kontrolle periodike rutinë te mjeku ORL. Sado i vogël të na duket problemi më dëgjimin, shkallën e gravitetit e përcakton mjeku prandaj të mos hezitojnë asnjëherë për një kontroll të hollësishëm. Është e bukur të dëgjosh një zë të dashur në telefon, këngën e preferuar me volumin maksimal, të dëgjosh e të shijosh muzikë me shoqërinë në një koncert live apo në një pub, janë pjesë e kënaqësisë së jetës, që dëgjimi ynë në fal, prandaj apeli im shkon te të gjithë ju: Ta mbrojmë këtë shqisë kaq të rëndësishme duke dëgjuar këshillat e mjekut dhe nëse ajo dëmtohet të bëjmë menjëherë një konsulte ORL!…Sepse të dëgjosh mirë është një dhuratë e bukur nga Zoti…le ta mbrojmë dëgjimin tonë.