Shumëkush preferon të konsumojë pije alkoolike, por të gjithë e vuajnë problemin e dhimbjes së kokës pasi u del pija.
Por duket se diktatori i Koresë së Veriut ka shpikur pijen alkoolike që nuk të jep dhimbje koke.
Shkencëtarët e këtij vendi thonë se kanë shpikur një liker nga bima e xhensenit, ndërkohë që sheqeri është zëvendësuar me oriz të djegur, duke eliminuar kështu shijen e hidhur dhe dhimbjen e kokës.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e vendit komunist.
Pija quhet Likeri Koryo, por ekspertët thonë se nuk ekziston diçka e tillë që mund të shërojë dhimbjet e kokës pas pijes.
Andray Abrahamian, drejtor i një qendre që mbështet sipërmarrjen në Korenë e Veriut, thotë: “Ka disa likerë fantastikë në Korenë e Veriut, me cilësi të lartë. Por nuk ka asnjë pije që të kurojë dhimbjen e kokës askund në botë”.
Ai shton se e ka provuar këtë liker dhe thotë se është si një ilaç, madje nuk ka as shije të mirë.
Xhenseni është një bimë shumë e përdorur në Kore, kryesisht për përfitime mjekësore.
Vitin e shkuar, Koreja e Veriut deklaroi se një produkt mjekësor nga kjo bimë mund të kurojë Ebolën, Sidën, Mersin dhe Sarsin.
Sipas tyre, ai është eliksiri i jetës.