Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Studimi i UET: 1 në 3 të rinj e ka provuar marijuanën

$
0
0

marijuanaRevista “Educatio” boton një studim të pesë pedagogëve, të cilët duke analizuar të dhënat dhe variablat, hedhin dritë mbi prevalencën për të pirë duhan dhe për të përdorur marijuanë . Studimi përpiqet të gjejë një lidhje mes faktorëve psikosocialë dhe këtyre sjelljeve.

Në një studim të kryer nga Universiteti Europian i Tiranës, mbi duhanpirjen, përdorimin e marijuanës dhe sjelljet seksuale  te studentët, te të rinjtë  vihet re se faktorët psikosocialë janë vendimtarë në përcaktimin e këtyre sjelljeve.

Studimi është botuar në revistën shkencore “Educatio”, botim i UET-së, dhe është kryer nga një grup prej pesë  pedagogësh të shkencave sociale: Erika  Melonashi. Fleura Shkëmbi, Elsida Sinaj, Armonela Drizaj dhe Odeta Cacaj.

Pas analizës deskriptive të të dhënave, doli se numri i duhanpirësve të rregullt shkon në 20,1 për qind (29,5% meshkuj dhe 12,8% femra), ndërsa e duhanpirësve rastësorë,  33,5% (34,6 % tek meshkujt dhe 33,6% tek femrat).

Përqindja e konsumuesve të rregullt të marijuanës ishte 3,7%( 5,5% tek meshkujt dhe 2,4% tek femrat) ndërsa numri i përdoruesve rastësorë të marijuanës është 15,7 %( 23,4% tek meshkujt dhe 3,5% tek femrat).

Në lidhje me marrëdhëniet seksuale, studimi tregon se rreth 32 për qind e meshkujve dhe femrave përdorin mjete mbrojtëse.

Autorët e studimit kanë përdorur tri blloqe variablash: 1- blloku i variablave demografikë; moshë dhe gjini; 2- blloku i variablave individuale; qëndrimet shëndetësore, vetefikasiteti, orientimi drejt riskut, dhe 3- blloku i variablave sociale; cilësia e marrëdhënieve sociale dhe normat subjektive mbi shëndetin.

Këto tri blloqe variablash janë variabla të pavarura, ndërsa  duhanpirja, përdorimi i marijuanës dhe marrëdhëniet seksuale janë variabla të varura.

Sipas autorëve, studimi kishte për qëllim të identifikojë impaktin e faktorëve demografikë, individualë dhe socialë mbi duhanpirjen, përdorimin e marijuanës dhe sjelljet seksuale të studentëve, duke marrë në shqyrtim të rinjtë e Universitetit Europian të Tiranës.

Studimi ka analizuar tri sjellje shëndetësore: duhanpirjen, përdorimin e marijuanës dhe sjelljen seksuale.

Analiza deskriptive sugjeron se në raport me të dhënat në nivel kombëtar në lidhje me duhanpirjen, prevalenca e duhanpirësve  të rregullt është më e ulët (38% kundrejt 20% në kampionin studimor.

Ky aspekt reflektohet edhe tek shifrat specifike të prevalencës mbi bazë gjinore.

Për sa i takon përdorimit të marijuanës, megjithëse prevalenca e përdoruesve të rregullt është 3,7%, rezultatet tregojnë se 1 në 3 persona e ka provuar marijuanën të paktën një herë.

Kjo është një shifër shumë më e lartë sesa ajo që jep Instituti i Shëndetit Publik, i cili thotë se përdorimi eksperimental i marijuanës është në masën e 5-9%.

Sa i takon masave mbrojtëse, në marrëdhëniet seksual e, 1 në pesë studentë nuk i përdor fare ato, ku përqindja më e lartë e mospërdoruesve ishte tek femrat, në raportin 1 me 3.

Mund të thuhet se modeli i testuar nga pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës është përgjithësisht i suksesshëm në parashikimin e duhanpirjes dhe përdorimin e marijuanës, por më pak i suksesshëm në lidhje me përdorimin e masave mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale.

Revista shkencore “Educatio” u ka kushtuar një rëndësi të madhe artikujve mbi problemet e shoqërisë, të cilat më së shumti fokusohen tek sfidat me të cilat përballet rinia.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522