Sëmundjet që çojnë në dëmtimin e funksionit të veshkave, janë: diabeti, hipertensioni arterial, glomerul nefritet kronike – humbja e proteinave me urinë, infeksionet e traktit urinar, sëmundjet e trashëguara – polikistoza renale
Çdo vit shënohen 400 raste të reja me sëmundjen kronike të veshkave. Grupmosha më e prekur rezulton ajo mbi moshën 50 vjeç. Të rrezikuar janë edhe të rinjtë e fëmijët. Kjo sëmundje ecën ngadalë e vjen duke u përkeqësuar. Vizitat rutinë dhe analizat mjekësore mund të jenë zbuluesit e sëmundjes, pasi në fazat e para të saj shenjat janë të pakta, ndodhin heshturazi e nuk vlerësohen nga pacienti, kjo edhe në varësi të shkaqeve që e kanë dëmtuar veshkën. Për gazetën “MAPO” mjekja nefrologe Benereta Hoxha apelon për kujdes veçanërisht të sëmurët me diabet, mëlçi dhe hipertension, në këto raste funksionimi i veshkave vështirësohet akoma më shumë ndaj kujdesi duhet maksimal.
Sëmundja
Sëmundja renale kronike është humbja e funksioneve të veshkës. Ajo ecën ngadalë e vjen duke u përkeqësuar. Është për t’u theksuar se në fazat e para të sëmundjes shenjat janë të pakta, ndodhin heshturazi e nuk vlerësohen nga pacienti, kjo edhe në varësi të shkaqeve që e kanë dëmtuar veshkën. Pacienti mund ta marrë vesh rastësisht nga një ekzaminim i rastësishëm ose analizat e bëra rutinë se ka probleme serioze renale. Sëmundjet që shkaktojnë prishje të funksionit renal janë disa.
Shkaqet
Ato mund të jenë renale dhe ekstra renale. Më të shpeshta renale janë: pyelonefritet kronike, me apo pa hipertension, glomerulonefritet, sëmundjet defektoze të lindura të veshkave, të trashëguara ose jo, si polikistozat apo anomalitë e aparatit urinar dhe ekstrarenale më të shpeshta, si: diabeti, sëmundjet auto-imune si lupus, sklerodermi, hipertension arterial esencial, sëmundje kronike të zemrës, të mëlçisë etj.
Shenjat
Shenjat kryesore janë disa; lodhja që ndiejnë këta të sëmurë, dhimbje mesi më shumë të karakterit rëndues, dhimbje koke, marrje mendsh, humbje të oreksit, të vjella, në faza më të avancuara, lëkurë të thatë, kruajtje të lëkurës kur kreatinemia është e lartë. Gjithashtu shenja të tjera janë edhe dhimbje kockash, mpirje të këmbëve, ngërç, përgjumje, urinim të shpeshtë sidomos natën me djegie ose jo, me ngjyrë të kuqe ose jo, enjte të këmbëve dhe të syve. Shenja këto që vijnë duke u theksuar me përparimin e sëmundjes. Të sëmurët kanë shifra të rritura të tensionit arterial pothuajse të gjithë. Në analizat e gjakut gjenden shifra mbi normë të azotemisë (më shumë se 50 mg/dl) e kreatinemisë (më shumë se 1.35 mg/dl), të cilat gradualisht vijnë në rritje, çrregullime të elektroliteve si ato të Na, K, Ca, Cl, P, Mg, anemi e cila thellohet me zhvillimin e sëmundjes (Hb më pak se 11mg/dl) e acidozës metabolike.
Ndryshime
Një nga sëmundjet e cila po rritet shpejt në numër që prek në 40 për qind të rasteve veshkat është diabeti i cili zhvillon nefropatinë diabetike. Shenja e parë e saj është mikroalbuminuria. Zbulimi i hershëm i mikroabuminurisë (më pak se 300 mg/ditë) parandalon ose zvogëlon ecurinë drejt sëmundjes renale kronike. Sa më e lartë proteinuria aq më e rëndë është edhe prognoza e sëmundjes. Është shumë e domosdoshme të kontrollohet funksionimi i veshkave nëpërmjet analizës së urinës ku shohim proteinurinë, densitetin, ph, elementet sedimentare të saj, si: eritrocitet, leukocitet e me shumë interes janë cilindrat granular ose hialin, të cilat duhet të na shqetësojnë. Çdo ndryshim i analizës nga norma duhet të konsultohet me mjekun e familjes, i cili vendos nëse duhet vizita e mjekut specialist, nefrolog. Në analizat e gjakut (biokimike) kanë shumë vlerë të shihen vlerat e azotemisë, kreatinemisë, uricemisë, yndyrave, glicemisë e çdo devijim nga norma të konsultohet me mjekun specialist për të gjetur shkakun.
Kontrollet
Në kontrollet rutinë një vlerë të madhe ka kryerja e ekografisë, e cila na jep të dhëna për madhësinë e veshkave, strukturën e saj, praninë e gurëve apo kalcifikimeve, cisteve të madhësive të ndryshme, pengesave në rrugët urinare. Është për t’u theksuar lidhja e funksionit të veshkës me sëmundjet e zemrës, me cirrozat e mëlçisë dhe duhet të kontrollohen me kujdes medikamentet që marrin këta të sëmurë për të mos dëmtuar funksionin e veshkave. Është me shumë rëndësi të dihen rreziqet që sjellin medikamentet anti-imflamatore që përdoren pa kriter në reumatologji pasi ato dëmtojnë rëndë funksionin renal.
Problemet
Veshka është edhe një organ me funksion endokrin. Ajo prodhon substanca të rëndësishme si reninën, rritja e së cilës në gjak jep rritje të shifrave të tensionit arterial. Prodhon eritropoetinën, e cila luan rol të rëndësishëm në aneminë që kanë këta të sëmurë. Sot është e mundur që kjo substancë të jepet me injeksion nën lëkurë një herë në dy jave ose një herë në muaj sipas nevojave që paraqesin këta të sëmurë. Veshka është po ashtu përgjegjëse për kthimin e vitaminës D në D3 (forma aktive e vitaminës) shumë e domosdoshme për kockat, prandaj në këta të sëmurë kemi dhimbje kyçesh, ngërçe, lodhje të këmbëve etj.
Kujdes
Kujdes duhet të tregohet që në fëmijëri për veshkat, sidomos kur fëmijët bëjnë temperaturë të lartë herë pas here pa shkak e në analizat e urinës del infeksion. Duhet parë shkaku kur infeksionet përsëriten sepse mund të kemi refluks veziko-ureteral (rikthim i urinës), defekte të pemës urinare, të cilat mund të riparohen ose të trajtohen rregullisht për të mos arritur në atrofi (tharje të veshkës).
Ushqimet
Te të sëmurët kronikë me sëmundje renale kronike është shumë e rëndësishme të mbahet një dietë strikte me kufizim të proteinave (jo më shume se 120 gr proteinë në ditë). Kjo nënkupton kufizimin e ushqimeve që kanë përmbajtje të lartë me proteina si mishi ( kryesisht mishi i kuq), veza, djathi etj. Kujdes duhet treguar me ushqimet që kanë përmbajtje të lartë kaliumi, posfor dhe natrium. Ushqimi i këtyre të sëmurëve vendoset në dieta strikte nga mjeku specialist nefrolog edhe në kujdesin me yndyrat e karbohidratet (te diabetikët ). Është specialisti që gjykon edhe për shtesa me kalcium, bikarbonate e vitamina të ndryshme. Në rast se sëmundja zbulohet shpejt dhe trajtohet drejt sipas problemeve që dalin herë pas here (kroniket çdo dy muaj) nga specialistët ecuria është vërtet progresive por e ngadaltë. Sot mundësitë për një jetesë të gjatë të këtyre të sëmurëve janë të mëdha pasi ekzistojnë aparatet e veshkave artificiale (hemodializë) apo dializë peritoneale dhe realizohet edhe transplanti i veshkës.
Shenjat
Këto probleme mund të ndodhin ngadalë, gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe shumica e njerëzve mund të mos kenë shenja evidente deri në stadet e avancuara të sëmundjes së veshkave. Nëse ju vëreni se ndiheni më të lodhur dhe keni më pak energji, keni probleme me përqendrimin, keni ulje të oreksit, keni probleme me gjumin, keni ngërçe (krampe) muskulore, sidomos natën, keni fryrje të këmbëve, keni fryrje rreth syve, sidomos në mëngjes, keni lëkurë të thatë dhe urinoni më shpesh, sidomos gjatë natës, duhet të drejtoheni te mjeku për të bërë ekzaminimet përkatëse (gjak komplet, urinë komplet, azotemi, kreatininemi, glicemi, matjen e tensionit të gjakut).
Këshilla
Kujdes duhet të tregohet në shtatzëni për veshkat (edemat, hipertensioni, proteinuria) rrezikojnë jetën e nënës e të fëmijës. Duhet trajtuar me kujdes tensioni e ai nuk duhet të jetë më i lartë se 140 mmHg me 95 mmHg.
Duhet trajtuar me kujdes diabeti (kontrolli i shpeshtë i glicemisë e mbajtja nën kontroll e saj me dietë e mjekime).
Duhet treguar kujdes me yndyrat pasi shifrat e larta të tyre janë shkaktarë të arterosklerozës, që zhvillohet në enët e gjakut.
Duhet të kihet kujdes i madh me pirjen e duhanit, sepse ai dëmton enët e gjakut dhe është faktor risku.
Duhet të pihen lëngje si ujë, çajra sasia e të cilave varet edhe nga humbjet e tyre gjatë ditës (1,5- 2 litra mesatarisht) e sidomos gjatë ditëve të nxehta.
Të bëhen analiza për çdo njeri të paktën një herë në vit, e ku ka problem të konsultohen me mjekun specialist.