Image may be NSFW.
Clik here to view.Mëngjesi i “ëmbël” shton energjinë dhe kreativitetin
Thonë se dita e mirë shihet në mëngjes dhe kjo për gjysmë milioni italianë që merren me fushën e kreativitetit, mëngjesi është burim frymëzimi. “Mëngjesi dhe kreativiteti”, kjo është tema mbi të cilën Universiteti i La Sapienza-s në Romë ka zhvilluar një studim. Që neuronet të funksionojnë në mënyrë korrekte, nënvizon Luka Piretta, nutricionist e gastro-enterolog në Universitetin e La Sapienza në Romë, duhet të kenë serbatorin plot me energji, veçanërisht me glukozë, e cila përfaqëson edhe “karburantin” real të funksionimit të neuroneve në kushte fiziologjike. Me zgjimin në mëngjes, pas një nate të gjatë sigurisht pa ngrënë është shumë e rëndësishme rivendosja e balancave të glukozës përmes një mëngjesi të mirë, jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbajtur në ekuilibër mekanizmin endokrin, metabolik dhe kardiovaskular. Kujdes! “Serbatori” duhet mbushur në mëngjes dhe jo në darkë, -shpjegon doktor Piretta, sipas të cilit nisja e ditës me një mëngjes të ëmbël, tipik mesdhetar, bazë cerealet me qumësht, bukë e thekur, reçel janë burim i mirë energjie. Në mungesë të kohës për të ngrënë mëngjes, ndihmë të madhe japin gjithashtu çaji dhe kafja. Falë përmbajtjes së kafeinës, çaji ndihmon në përqendrim, ndërsa niveli i serotoninës stimulon kujtesën. Nutricionistët këshillojnë edhe çokollatën, burim shumë i mirë energjie, e cila stimulon sistemin nervor dhe përmirëson fantazinë.
Prostata, një analizë gjaku parashikon agresivitetin e tumorit
Një studim i zhvilluar në San Raffaele në Milano, prezantuar gjatë Kongresit Europian të Urologjisë, personat me nivel të lartë testosteronesh kanë më shumë probabilitet për t’u prekur nga një lloj kanceri, veçanërisht i vështirë për t’u kuruar. Kanceri në prostatë, një prej sëmundjeve më të shpeshta ndër meshkuj, ka shtuar numrin e personave të prekur në botë, por sipas mjekëve ka shpresë pasi mbijetesa është rritur nga viti në vit dhe 5 vjet pas diagnostikimit, 90% e rasteve ende jetojnë. Megjithatë, mbetet për të gjetur një metodë më efektive për të dalluar llojet e kancereve më agresivë, tek ato me formë të “mefshtë”, që edhe nuk mund të shërohen. Një studim italian i paraqitur në Monako gjatë ditëve të Kongresit Europian të Urologjisë, sugjeron se në qoftë se kërkohet një zgjidhje e thjeshtë, është prova e gjakut. Falë suksesit në zbulimin e hershëm, i cili ju lejon për të zbuluar sëmundjen kur ajo është ende e shërueshme, si dhe falë terapive të reja që kanë pasuruar arsenalin mjekëve, në vitet e fundit vdekshmëria ka ardhur në rënie. “Sot ne kemi shumë strategji në dispozicion për të trajtuar kancerin e prostatës, -thotë Massimo Perachino, drejtor i Urology Hospital Santo Spirito di Casale Monferrato dhe anëtar i Shoqatës Urologëve italianë – që na lejojnë të vendosim, së bashku me pacientin, cila është zgjidhja më e mirë sipas rastit; kirurgji, rrezatim, mbikëqyrje e thjeshtë aktive, terapi hormonale apo mjekim. Në varësi të llojit të sëmundjes dhe fazës së saj, janë vlerësuar edhe efektet e mundshme anësore të secilit opsion. Natyrisht kjo është thelbësore për të analizuar edhe llojin e kancerit në fjalë, agresivitetin e tij, shpejtësinë me të cilën ajo mund të zhvillohet dhe të japë metastaza, gjithashtu duke marrë parasysh rolin e luajtur nga çdo mutacion gjenetik.”
Fëmijëria e lumtur largon rrezikun për sëmundje zemre
Fëmijët të cilët rriten në mjedise pa stres, kur të rriten rrezikojnë më pak të vuajnë nga sëmundjet e zemrës në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre, të cilët në fëmijëri kanë patur probleme emocionale dhe financiare. Ky është rezultati i një studimi i cili ka marrë për shqyrtim faktorët psiko-socialë gjatë fëmijërisë. Të rriturit të cilët kishin pasur fëmijëri të lumtur kishin 15% më pak ngushtim të enëve të gjakut, për rrjedhim më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare. Dr. Markus Juonala i Universitetit “Turku” në Finlandë shpjegon se fëmijëria është një ndër faktorët përcaktues në shëndetin e ardhshëm të secilit fëmijë. Për të zhvilluar këtë studim, doktori analizoi të dhënat e fëmijëve nga viti 1980 deri në 2008-ën. Për dekada me radhë, doktor Juonala ka mbajtur nën mbikëqyrje shëndetin e arterieve të personave. Përveç kësaj, në studim janë marrë edhe faktorë të tjerë, sikurse është mirëqenia e familjes, edukimi i prindërve, statusi i tyre në punë apo pa punë, historia shëndetësore, duhanpirja apo faktorë të tjerë, sikurse është divorci, vdekjet, shoqërizimi me të tjerë dhe shpërnguljet. Studimi pohon se stresi gjatë fëmijërisë mund të shkaktojë ndryshime në funksionimin e metabolizmit deri në inflamacion që më vonë kontribuojnë në depozitat e kalciumit në arterie. Është gjithashtu e mundur që fëmijët më të lumtur mund të zhvillojnë zakone të shëndetshme sikurse dietat më të mira, ushtrime rigoroze që ndihmojnë të mbajnë arteriet të zhbllokuara dhe ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës. “Për një të rritur i cili ka patur një fëmijëri stresuese, mënyra më e mirë është që të jetë i vetëdijshëm për gjendjen e tij dhe rrezikun permanent për sëmundjet kardiovaskulare, në mënyrë që të reduktojë atë, duke përmirësuar dietën dhe aktivitetin fizik dhe duke iu shmangur pirjen e duhanit. Aty ku ekzistojnë faktorët e rrezikut, të tilla si tensioni i lartë, ata duhet të trajtohen në mënyrë të përshtatshme”, -përfundon doktori.
A është e lejueshme të bësh ushtrime gjatë shtatzënisë?
Përgjigja është po. Por ama rekomandohet që ritmi i zemrës gjatë shtatzënisë, teksa kryen ushtrime nuk duhet të jetë më shumë se 140. “Deri në fund të viteve 1960 dhe fillimviteve ‘70 nuk është këshilluar që gratë shtatzëna të kryejnë ushtrime apo gjimnastikë. Mirëpo studime të reja kanë rrëzuar këtë teori dhe qëndrimet e bluzave të bardha kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Mjekë tani inkurajojnë gratë shtatzëna të angazhohen në stërvitje me intensitet të moderuar, për të paktën 20 deri në 30 minuta në ditë gjatë javës, për aq kohë sa nuk kanë komplikime mjekësore ose obstetrike. Hulumtimet kanë treguar se aktiviteti fizik gjatë shtatzënisë ka përfitime përtej mirëmbajtjes fizike, duke përfshirë edhe ndihmën që jep në menaxhimin e peshës, duke zvogëluar rrezikun e diabetit dhe tensionit të lartë të gjakut, duke e bërë më të lehtë për të përballuar dhimbjet dhe si dhe lehtësim për rikuperimin e shpejtë pas lindjes. Rekomandimi i ri thotë se gratë që kryejnë ushtrime apo palestër rregullisht para shtatzënisë dhe nuk kanë komplikime gjatë shtatzënisë, duhet të jenë në gjendje që të angazhohen në programet e ushtrimeve me intensitet të lartë, të tilla si vrapim dhe gjimnastikë, pa efekte negative. Aktivitete që përfshijnë një rrezik të lartë të rënies, të tilla si ski dhe hipizëm, hidromasazhe me ujë të nxehtë dhe parashutizëm duhet të shmangen.
Dibër dhe Fier, mjekët e familjes pajisen me instrumente mjekësore
Mjekët e familjes në qarqet Dibër dhe Fier janë pajisur me instrumente mjekësorë me synim asistimin e stafit mjekësor në përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor për banorët e këtyre zonave. “Qëllimi i Projektit ‘Shëndet për të Gjithë’ është që popullsia e Dibrës dhe Fierit, përfshi edhe grupet më vulnerable, të përfitojnë shëndet më të mirë në saje të përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Pajisja e mjekëve me këto instrumente na sjellë një hap më afër arritjes së këtij qëllimi”, thekson Ehadu Mersini, zëvendës-menaxhere për HAP. Nëntëdhjetë e gjashtë çantat mjekësore, në vlerën pesëdhjetë e tetë mijë euro, do të shpërndahen te mjekët e familjes në Dibër dhe Fier, të organizuara nga HAP. Çantat mjekësore përmbajnë instrumente bazë, si: stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, gleukometër, çekiç neurologjik, kalendar shtatzënie, stetoskop fetal etj., të rëndësishëm në ofrimin e një shërbimi shëndetësor parësor cilësor. Mjekët e familjes që do të marrin në dorëzim çantat mjekësore, gjithashtu do të trajnohen në përdorimin sa më efikas të pajisjeve që ato përmbajnë. Përveç këtyre pajisjeve mjekësore për mjekët e familjes, HAP ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të tjera në qarqet Dibër dhe Fier, përfshi: Trajtimin e menaxherëve të qendrave shëndetësore, aktivitete për ndërgjegjësimin në lidhje me hipertensionin dhe talaseminë, promovimi i higjienës familjare dhe komunitare me komunitetin Rom dhe asistenca për mjekët e familjes për plotësimin e krediteve për edukimin mjekësor në vazhdim.