Quantcast
Channel: Shëndeti – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Meshkujt pas të 50-ve: Ja vizitat që duhet të kryejnë

$
0
0

Evin Dani, andrologKur flasim për shëndetin e meshkujve, ka disa veçori të veçanta. Një mashkull është mirë të konsultohet me mjekun androlog, pasi si shkencë e re andrologjia merret me disa patologji që shpeshherë meshkujt nuk i kuptojnë

Fatmirësisht, në vitet e fundit, falë ndërgjegjësimit gjithnjë e më të madh mbi shëndetin dhe sëmundjet më të shpeshta, mjekët pohojnë se është rritur zbulueshmëria e sëmundjeve. Veçanërisht për mjekët andrologë kjo është një “fitore”, pasi deri dje burrat e konsideronin tabu vizitën tek andrologu. Madje as nuk pranonin të tregonin problemet shëndetësore. Mirëpo me kalimin e viteve është e domosdoshme shtimi i vizitave pranë mjekëve, veçanërisht pas të 50-ve, moshë në të cilën te meshkujt fillojnë e rëndohen problemet shëndetësore. Evin Dani, mjek androlog pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo” shpjegon kontrollohet parandaluese dhe diagnostikuese që duhet të kryejnë patjetër meshkujt pas të 50-ve.

Cilat janë vizitat mjekësore që duhet të kryejnë meshkujt pas të 50-ve?

Mbi moshën 50-vjeç te meshkujt dalin disa probleme të reja shëndetësore. Në qoftë se ne themi që një mashkull duhet të shikojë veten e tij apo të bëjë një kontroll është pikërisht për disa sëmundje, të cilat rriten me rritjen e moshës, bëhen më të dukshme. Disa sëmundje janë të njohura, janë shumë të shpeshta, si: diabeti, hipertermia, sëmundjet kardiake, të cilat i përshkruajnë dhe i përmendin shumë herë edhe specialistët e përkatës të fushave. Mirëpo kur flasim për shëndetin e meshkujve, ka disa veçori të veçanta. Një mashkull është mirë të konsultohet me andrologun, pasi si shkencë e re merret me disa patologji që shpeshherë meshkujt nuk i kuptojnë. Patologjitë më të shpeshta janë: hipertrofia beninjeje e prostatës, një patologji e cila rritet me rritjen e moshës. Në këtë kuadër, hipertrofia beninjeje e prostatës ka si problem të veten edhe një sëmundje të veçantë apo të heshtur, e cila është shumë serioze, kanceri i prostatës. Për shkak se kjo sëmundje vjen në mënyrë të heshtur, ndodhemi përpara një momenti shumë të rrezikshëm, shumë problematik, kur pacienti merr vesh që ka kancer prostate. Ndërkohë që ai vetë shprehet se nuk ka patur ndonjë shenjë apo edhe në rastin kur shenjat janë, janë shumë të pakta për të krijuar një lidhje me sëmundjen. Normalisht hipertrofia beninjeje e prostatës duhet kontrolluar nga mjekët urolog apo androlog, në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje që në fillimet e veta dhe të mjekohet.

Çfarë ekzaminimesh rekomandohen?

Analizat më të shpeshta në këtë rast përveç ekzaminimit është ekografia e prostatës. Bërja e PSA-së: Prostate Specific Antigen, që është një lloj enzime që arrin të kapet nëpërmjet laboratorit. Dhe kjo lloj enzime, shtohet shumë në rast të kancerit të prostatës. Një tjetër ekzaminim i rëndësishëm është ekzaminimi me gisht. Do të jetë vizita e andrologut, e cila kryen këtë ekzaminim, konkretisht mjeku fut gishtin nga zorra e trashë dhe të prek nëpërmjet murit të zorrës së trashë prostatën. Do ta prekë për të parë konsistencën, madhësinë, lëmueshmërinë, ka apo s’ka dhimbje. Por është një ekzaminim shumë i rëndësishëm. Sigurisht në këtë patologji ne parandalojmë patologji të mëdha, të cilat praktikisht mund të parandalojmë probleme shumë të mëdha në drejtim të shëndetit të mashkullit. Një tjetër patologji është matja e testosteronit. Një nga patologjitë që vijnë në mënyrë të heshtur është andropauza. Një patologji e cila vjen edhe kjo në mënyrë të heshtur, shumë e shpeshtë me rritjen e moshës, ku pacientët në mënyrë graduale futen në një fazë e cila është andropauza. Në këtë fazë ulet niveli i testosteronit, i cili do të sjellë pastaj një gjendje shëndetësore të pacientit, e cila shfaqet me dobësi, lodhje, marrje mendsh, ulje të përqendrimit, zgjim të hershëm ose përgjumje gjatë ditës.

Mund të flasim për metoda parandaluese?

Duhen kryer ekzaminimet e PSA-së, për të parandaluar këto patologji apo për të trajtuar sëmundjet. Shenjat nuk janë gjithmonë kaq të qarta, shpeshherë ngatërrohen apo neglizhohen. Madje ankesat e më të moshuarve në lidhje me lodhjen i vishen moshës, ndërkohë që nuk kuptohet shqetësimi real. Një tjetër shenjë e këtyre patologjive është anemia, e cila konsiderohet shenjë bashkëshoqëruese në andropauzë. Mashkulli fillon e ndryshon në tip, bëhet nervoz, i pavëmendshëm, bie në depresion. Këto janë shenja që i ka çdo njeri por që thellon nëse kalon andropauzën. Osteoporoza – pacientët janë shumë të rrezikuar të bëjnë fraktura në këtë moshë sepse ka rënie të nivelit të testosteronit. Nëse kapet që në fillim ky mashkull, sigurisht fare mirë mund të mjekohet dhe të shkojë fare mirë.

Sa ndikon stili i jetesës në rritjen e sëmundshmërisë?

Stili i jetesës ndikon shumë, duke nxjerrë në pah edhe disa patologji të reja. Ushqimi, obeziteti, jeta sedentare, stresi, problemet, duhani, ndotja. Madje do të nënvizoja veçanërisht duhanin, një prej problemeve më madhore pasi ka një lidhje, një korrelacion të pirjes së duhanit dhe sëmundshmërisë. Mënyra e jetesës së kësaj moshe është shumë vendimtare dhe e lidhur me shumë patologji. Një tjetër problem është disfunksioni erektil. Pasi edhe në këtë moshë ne duam të mbajmë aktiv aktivitetin seksual dhe unë si mjek androlog them se jeta seksuale është pjesë e jetës, pjesë e domosdoshme, e pazëvendësueshme. Një jetë seksuale e shëndetshme bën edhe rritje të shëndetshme të jetës. Këta meshkuj që të mbajnë jetën e tyre seksuale të shëndetshme, të jenë të aftë të bëjnë jetë seksuale, duhet të parandalojnë patologji të ndryshme të kësaj moshe, diabeti, mjekimi i tensionit etj. Shumë mjekime që përdoren për këto sëmundje si efekt dytësor kanë edhe disfunksionin erektil. Këta persona që kanë këto patologji, në qoftë se do të kenë ulje të aftësisë seksuale, duhet të paraqiten për të gjetur shkakun dhe më pas të ndërhyhet për mjekimin.

Kemi të dhëna mbi zbulueshmërinë e sëmundjeve?

Është rritur zbulueshmëria, kjo falë dhe sensibilizimit dhe fushatave informuese të medias. Sot gjithashtu ka informacione të gjithanshme. Nga dita në ditë ka rritje të meshkujve që paraqiten pranë klinikave të andrologjisë për t’u ankuar dhe për të kuruar këto patologji, që deri dje ishin dhe sëmundje që s’mund t’ia thoshin askujt.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2522

Trending Articles