Për këtë operacion po raportojnë disa prej mediave më të njohura në Europë.
Bëhet fjalë për operacionin më të madh të organizuar ndonjëherë në këtë fushë.
Quhet operacioni Opson V dhe ka përfshirë 57 vende.
I organizuar nga Interpol dhe Europol, qëllimi i tij ishte të kapeshin ushqimet dhe pijet e falsifikuara.
Më shumë se 10 mijë tonë ushqim dhe 1 milion litra me ushqime e pije të falsifikuara u kapën gjatë këtij operacioni gjigand.
Mes tyre ishin 9 ton me sheqer të kontaminuar me fertilizues në Sudan, 85 ton me ullinj të ‘lyer’ me solucion kimik për të përmirësuar ngjyrën e tyre në Itali.
Operacioni u zhvillua mes nëntorit të shkuar e deri në fund të shkurtit 2016.
Në Greqi u zbuluan tre fabrika ku prodhohej alkool fals.
Policia sekuestroi mijëra shishe të markave të njohura, të falsifikuara.
Në përgjithësi, problemi i etiketave false ngelet i madh.
Në Bruksel u kapën dhjetëra kilogramë me mish majmuni, ndërsa në Francë u kapën 20 kilogramë me krimba.
Në Indonezi, zyrtarët kapën 70 kg me të brendshme të pulave, që ruheshin në formalinë, një substancë e ndaluar për ushqimet.
Në Hungari, Itali, Lituani dhe Rumani u kapën tonelata me çokollata, ëmbëlsira dhe verëra jo-alkoolike për fëmijë, të gjitha false.
“Ushqimi i falsifikuar është një kërcënim për mbarë botën. Njerëzit, pa e ditur, blejnë ushqime shumë të rrezikshme,” tha Michael Ellis i Interpol-it.
Ai u zotua se të tilla operacione do vazhdojnë.