Poliklinika Gjermane në Tiranë aplikon me sukses metodën me ultratinguj për të gjitha llojet e specialiteteve në ORL. Dr. Ioannis Soulis, mjek ORL pranë këtij institucioni, shpjegon në intervistën e mëposhtme se çfarë përfaqëson kjo teknikë dhe rrëfen njëkohësisht avantazhet kryesore që ka metoda me ultratinguj në krahasim me të gjitha llojet e mënyrave të tjera tradicionale në kirurgjitë e ORL-së.
Z.Ioannis përshëndetje dhe faleminderit për intervistën! Prej disa kohësh pranë Poliklinikës Gjermane në Tiranë po përdoret një teknikë e re dhe moderne për sa i përket specialiteteve të ORL-së në Shqipëri. Konkretisht, metoda me ultratinguj… Çfarë përfaqëson kjo metodë?
Metoda e ndërhyrjes me ultratinguj në specialitetet e ORL-së është një mënyrë shumë e veçantë dhe tejet efektive për kirurgjitë e hundës, gojës dhe faringut.
Në këtë metodë nuk është i nevojshëm përdorimi i bisturisë apo mjeteve të tjera që shkaktojnë traumë. Këtu përdoret një instrument specifik, i cili përcjell valën e ultratingullit dhe trajton në mënyrë shumë efektive probleme të tilla si: devijimi i septumit të hundës, hipertrofia e konkave nazale, polipet nazale, problemi i bajameve, inflamacioni kronik i sinuseve, si edhe një sërë patologjish të tjera të ORL-së.
Forma e anestezisë është ajo lokale, pa qenë e nevojshme kryerja e anestezisë së përgjithshme. Në rast se pacienti dëshiron anestezinë e përgjithshme, edhe ajo mund te realizohet. Ndërsa tek fëmijët, ndërhyrja me ultratinguj kryhet vetëm me anë të anestezisë së përgjithshme.
Kur ka filluar kjo lloj kirurgjie dhe ku aplikohet ajo aktualisht?
Kirurgjia me anë të ultratingujve praktikohet prej shumë vitesh. Si rusët, ashtu edhe amerikanët, shprehen që e kanë shpikur ato të parët këtë metodë. Gjithsesi, kushdo që ta ketë shpikur, praktikisht është vërtetuar që ajo përfaqëson një mënyrë shumë të mirë kirurgjikale jo vetëm në specialitetet e ORL-së, por edhe në fusha të tjera të mjekësisë si: kirurgji e përgjithshme, ortopedi, gjinekologji, urologji, dermatologji etj.
Sot, shumë vende të zhvilluara të botës si SHBA, Gjermania, Hollanda, Spanja, Rusia, Izraeli etj., praktikojnë në mënyrë shumë të suksesshme mënyrën e ndërhyrjes kirurgjikale me anë të ultratingujve.
Ja vlen të përmendim që Springer-i (kompani prestigjioze në botimin e librave dhe revistave akademike), si edhe Akademia Evropiane e ORL-së kanë kryer studime të rëndësishme mjekësore dhe mbështesin fuqishëm përdorimin e kësaj teknike në kirurgjitë e specialiteteve të ORL-së.
Me pak fjalë, teknika me ultratinguj përfaqëson kirurgjinë e së tashmes dhe së ardhmes në drejtim të zgjidhjes së problemeve në ORL.
Ju vetë personalisht, kur keni nisur ta praktikoni metodën me ultratinguj?
Unë, si kirurg i vjetër, gjatë karrierës sime profesionale i kam perdorur te gjitha metodat kirurgjikale ne Otorinolaringologji (ORL) si: mënyra klasike, lazeri, radio-frekuenca, metoda me djegie dhe metoda me ultratinguj. Pas aplikimit të të gjithë këtyre metodave në shumë pacientë, kam përfunduar tek metoda me ultratinguj për shumë arsye, të cilat përbëjnë edhe avantazhet kryesore të saj në krahasim me metodat e tjera tradicionale, si psh:
- Ajo nuk përdor bisturi dhe nuk sjell asnjë lloj traume;
- Nuk shkakton gjakderdhje dhe asnjë lloj dhimbjeje;
- Efektet anësore që mund të vijnë prej saj janë në nivelin ZERO dhe nuk shkakton asnjë problem post-operator;
- Nuk sjell asnjë lloj komplikacioni;
- Zgjat shumë pak, afërsisht 30-35 minuta. Pacienti mund të largohet nga Poliklinika 20 minuta pas ndërhyrjes;
- Për shkak të aplikimit të anestezisë në mënyrën e duhur, pacienti është i vetëdijshëm gjatë ndërhyrjes. Madje ai mund të komunikojë fare lirshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme me doktorin;
- Ajo që është edhe më kryesorja, problemi i trajtuar me anë të kësaj teknike zgjidhet njëherë e mirë dhe në mënyrë rrënjësore.
Tek një pacient i operuar më parë me anë të ndonjë metode tradicionale dhe që s’ka arritur zgjidhjen e duhur, a mund të kryhet ndërhyrja me ultratinguj dhe cilat janë rezultatet e pritshme?
Një pacienti i cili ka kryer më parë ndërhyrje kirurgjikale me anë të ndonjë metode tjetër dhe nuk ka arritur rezultatet e pritshme, i rekomandojmë me bindje të plotë metodën me ultratinguj si mundësinë e vetme të ri-operimit, në sajë të cilës do të sigurojë rezultate konkrete dhe të përhershme duke gëzuar normalitet përgjatë gjithë jetës.