Kryerja e vaksinës anti-grip duhet para fillimit të sezonit të gripit. Më të rrezikuarit personat me sëmundje shoqëruese, qofshin me sëmundje të tjera respiratore apo me sëmundje kardiake, diabetikët apo personat mbi 65 vjeç dhe nën 5 vjeç, gratë shtatzëna etj.
Sezoni i gripit ka nisur dhe duke filluar nga muaji tetor e deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm jeni nën “pushtetin” e tij. Të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit janë kategoritë më të rrezikuara. Ndërkohë që përveç gripit, gjatë këtij sezoni parashikohen të qarkullojnë edhe tri viruse; viruset Influeza tip A, (H1N1)pdm09, tipi A (H3N2) dhe Influenza tip B, bashkë edhe me shumë viroza respiratore, të cilat për shkak të simptomave të ngjashme, shpesh ngatërrohen nga njerëzit me gripin. Në një intervistë për “Mapo”, Eugena Erindi Tomini, Doktore Shkencash, specialiste e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, shpjegon se tashmë jemi në sezonin e gripit dhe se për kryerjen e vaksinës anti-grip duhet menduar paraprakisht para fillimit të sezonit. Në rast se sëmureni, Tomini këshillon evitimin e kontakteve me të afërmit, mosneglizhim të vizitës te mjeku i familjes apo ai specialist sepse shpesh, për të mos thënë gjithmonë, rëndohet situata e infeksioneve respiratore apo gjendjes gripale.
A ka filluar sezoni i gripit në vendin tonë dhe pse quhet i tillë (sezoni i gripit)?
Ndryshimi i temperaturave dhe vetë stina e vjeshtës dhe e dimrit përkojnë me sezonin e gripit. E njëjta periudhë korrespondon dhe me riaktivizimin e survejancës së gripit. Quhet sezoni i gripit, se pavarësisht se monitorimi dhe vlerësimi i rasteve me infeksione respiratore apo grip kryhet gjatë gjithë vitit, java e 40-të e vitit deri në javën e 20-të të vitit pasardhës përmbledh survejancën laboratorike dhe epidemiologjike të gripit në vend.
Keni informacion se cilat do të jenë viruset që do të qarkullojnë gjatë këtij sezoni?
Gjatë sezonit 2016-2017 parashikohen të qarkullojnë viruset e Influeza tip A, (H1N1)pdm09, tipi A (H3N2) dhe Influenza tip B, por paralelisht ka edhe shumë viroza respiratore, të cilat për shkak të simptomave të ngjashme, shpesh ngatërrohen nga njerëzit me gripin.
Cilët janë faktorët predispozues për të shfaqur apo rënduar gjendjen gripale?
Shpesh ka faktorë predispozues për të shfaqur apo rënduar një sëmundje. Infeksionet respiratore transmetohen nëpërmjet spërklave, teshtimës, kollës dhe sigurisht një element i rëndësishëm është mosrespektimi i etiketës respiratore që bën virusi të transmetohet me lehtësi. Ambientet e mbyllura dhe të pa ajrosura, grupimet masive, kolektiva në ndërmarrje, çerdhe, kopshte, shkolla, pra ambientet në përgjithësi të mbipopulluara favorizojnë transmetimin e viruseve respiratore apo gripit, nga një person te një tjetër. Personat me imunitet të kompromentuar apo me imunitet të ulët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virusi i gripit. Paraqesin tablo klinike më të rënduar personat me sëmundje shoqëruese qofshin me sëmundje të tjera respiratore apo me sëmundje kardiake, diabetikët apo personat mbi 65 vjeç dhe nën 5 vjeç etj. Sigurisht që duhet menduar paraprakisht para fillimit të sezonit të gripit, për kryerjen e vaksinës anti-grip. Vaksinimi çdo vit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Kujdes! Nëse sëmureni evitoni kontaktet me të afërmit tuaj dhe mos neglizhoni vizitën te mjeku i familjes apo mjeku specialist sepse shpesh, për të mos thënë gjithmonë, rëndohet situata e infeksioneve respiratore apo gjendjes gripale.
Kur është periudha më e mirë e vaksinimit anti-grip? Cilat lloje vaksinash qarkullojnë në vendin tonë?
Periudha e vaksinimit nuk është e përcaktuar apo e prerë me “thikë”. Është e rekomandueshme në fillim të sezonit të vjeshtës por mund të kryhet në çdo kohë dhe për më tepër duhet të kryhet nga e gjithë popullata dhe në veçanti nga grupet e riskut. Si në tregun ndërkombëtar dhe në tregun farmaceutik shqiptar gjendet e njëjta vaksinë që përmban viruset që kanë qarkulluar në sezonin e mëparshëm të gripit.
Si e monitoron ISHP situatën gripale në vend? Ka mekanizmat e duhur?
Absolutisht që po, ISHP monitoron situatën e gripit në vend jo vetëm gjatë survejancës aktive në periudhën që përmendëm me sipër, por dhe jashtë saj. Ka strukturat përkatëse të Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe që marrin informacion mbi infeksionet respiratore të sipërme dhe të poshtme, nga të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin, marrin raportime për çdo rast të dyshuar për grip nga spitalet rajonale dhe qendrore duke u mbështetur në survejancën epidemiologjike dhe laboratorike. Shqipëria raporton të dhëna epidemiologjike dhe virologjike në EUROFLU prej vitit 2008.
Tipet e gripit:
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë tri tipe të gripit të zakonshëm: A, B, C. Tipi i gripit A ka disa nëntipa të tjera dhe kombinime të viruseve. Disa nga nëntipat janë A(H1N1), A(H3N2), të cilat po qarkullojnë edhe te njerëzit në të gjithë botën. Tipi C i gripit është më pak i zakonshëm se A dhe B. Për këtë arsye në vaksinën e gripit sezonal përfshihet mbrojtja për tipin A dhe B.
Simptomat
Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:
Temperaturë e lartë;
Kollë;
Dhimbje fyti.
Shenjat te fëmijët:
Lodhje;
Dhimbje koke;
Të përziera;
Diarre;
Të vjella;
Dhimbje barku;
Rrjedhje të hundëve;
Dhimbje muskujsh;
Shenjat paralajmëruese për emergjencë;
Sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, por drejtohuni menjëherë te mjeku nëse zgjat më shumë.
Shenjat te të rriturit shfaqin:
Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim;
Dhimbje apo presion në gjoks apo bark;
Marramendje papritur;
Konfuzion mendor;
Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme.
Kujdes! Veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor
Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami!
Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool!
Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës!
Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.
Ushqehuni shëndetshëm.
Bëni aktivitet fizik.
Bëni gjumë të mjaftueshëm.
Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni.
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit.
Ilaçet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhet të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.
Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut!
Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi duhet të mbani parasysh:
Qëndroni në shtëpi.
Qëndroni veç nga të tjerët.
Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë.
Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini.
Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime.
Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj.
Evitoni kontaktet me njerëzit.
Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës.