Këshillohet që mënyra më e mirë si fillim janë ligjet e forta që rregullojnë sistemin shoqëror, një edukim të mirë me fillesat nga familja, shoqëria, shkolla etj. Këto reduktojnë dhunën që në hapat e parë. Shmangia e njeriut nga konflikti, duke mos ia kthyer me të njëjtën monedhë, bën shuarjen e konfliktit në degjenerimin e dhunës fizike
Nervozizëm në radhë, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, e folur me zë të lartë, mallkime, fyerje pas krahëve e shumë fenomene të tjera të cilat nuk hezitojmë t’i shfaqim edhe në publik. Ndaj natyrshëm lind pyetja pse jemi kaq agresivë? Cilat janë shkaqet të cilat nxisin sjellje agresive deri në dhunë. Në një intervistë për MAPO, Anxhela Peza, psikologe Klinike dhe Këshillimi shpjegon cilët janë faktorët, situatat dhe shkaqet që na bëjnë agresivë, pse nuk duhet neglizhuar dhe cilat janë këshillat për kontrollimin e kësaj sjelljeje.
Pse jemi kaq agresivë dhe këtë lloj sjellje nuk ngurojmë ta shfaqim as në publik?
Për agresivitetin e këtij lloji, do thonim se faktorët kulturorë luajnë një rol të rëndësishëm, për të shfaqur sjellje të tilla. Ndrydhjet, shtypjet çojnë në zgjimin e impulseve agresive dhe varet se si shprehet. Shumë teori i mëshojnë fort faktit se agresiviteti është rezultat i ndrydhjeve, shtypjeve dhe mënyra për ta kontrolluar atë është eliminimi i faktorëve të mundshëm të mjedisit. Agresiviteti është sjellje, por ai shoqërohet me emocion (zemërim) dhe ndikohet nga ngacmuesit e jashtëm, e kjo në varësi të perceptimit të individit.
A ka gjithmonë lidhje kjo me temperamentin gjaknxehtë të individëve të caktuar apo janë faktorë të tjerë që ndikojnë?
Duke e lidhur me fëmijërinë si bazë e rëndësishme e formimit të karakterit dhe sjelljeve të njeriut më vonë, agresiviteti është i mësuar përmes vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjera dhe ruhet përmes përforcimit pozitiv. Teoria më e vjetër për agresivitetin thotë se njerëzit janë nga natyra agresivë. Ndoshta mbështetës më i shquar i teorisë së instinkteve ishte Frojdi, i cili argumentoi se agresiviteti është rezultat i instinktit të vdekjes me të cilin lindin të gjitha qeniet njerëzore. Frojdi hodhi idenë se energjia shkatërruese zmadhohet dhe duhet të çlirohet përmes sjelljes agresive. Psikologët i kanë studiuar marrëdhëniet midis agresivitetit dhe faktorë të tillë, si: trashëgimia, seksi, territori, studimi, ekologjia, fiziologjia, zhvillimet, të mësuarit dhe organizmi social. Përpos temperamentit, individi i gjen gati modelet e shprehjes së agresivitetit në mjedisin ku rritet.
Këta individë i hasim në familje, shoqëri, në punë dhe në ambiente publike. Cilat do të ishin ato sjellje të shëndetshme të tjetrit përballë një personi agresiv dhe çfarë këshilloni ju për këta persona agresivë?
Varet në cilën shkallë shfaqet agresiviteti, në forma të konsiderueshme për personin përballë apo në forma ekstreme, siç mund të jetë dhuna psikologjike apo fizike në rastin e njeriut agresiv. Pasi agresiviteti mund të jetë dhe pjesë e shfaqjes së çrregullimit që mund të mbartë individi. Kur dikush është jashtë “kontrollit” duhet të përpiqemi ta qetësojmë, t’i flasim me zë të ulët, të bëhemi palë me të dhe pasi të jetë qetësuar të mund të qartësojmë situatën.
Cila është mënyra më e mirë për të shmangur degjenerimin në konflikt fizik?
Mënyra më e mirë si fillim janë ligjet e forta që rregullojnë sistemin shoqëror, një edukim të mirë me fillesat nga familja, shoqëria, shkolla etj. Këto reduktojnë dhunën që në hapat e parë. Shmangia e njeriut nga konflikti, duke mos ia kthyer me të njëjtën monedhë, bën shuarjen e konfliktit në degjenerimin e dhunës fizike.